Bashkia e Vlorës kërkon rritjen e të gjitha taksave vendore, biznesi skeptik

Nga Gazmend Janku dhe Jerola Ziaj
20 Nëntor 2023, 14:33 | Aktualitet

Bashkia e Vlorës, në kuadër të përgatitjes së buxhetit për vitin e ardhshëm, ka parashikuar dhe propozuar rritje të nivelit të të gjitha taksave vendore.

Kështu, sipas një drafti që i është bërë të ditur edhe biznesit në këtë qytet, taksat do të rriten në të gjitha llojet e shërbimit që ofron bashkia, që nga ajo e pastrimit, gjelbërimit e ndriçimit, taksa e ndërtimit dhe e infrastrukturës, taksat e shfrytëzimit të hapësirave publike, e plazheve, e deri te rritja e çmimit të ujit të pijshëm, si për familjarët ashtu edhe për bizneset.

Për kryetarin e bashkisë, rritja e taksave është një propozim që do të diskutohet, por që synon një shërbim më të mirë për të gjithë qytetarët vlonjatë.

Por këto propozime kanë ngjallur menjëherë reagimin e përfaqësuesve të biznesit dhe sektorit të turizmit, të cilët kanë kundërshtuar dhe kanë shprehur paqartësi për mënyrën se sa do ndikojnë këto taksa në përmirësimin e shërbimeve, pasi një pjesë e biznesit nuk paguan fare taksa dhe ato që paguajnë pritet të rëndohen më shumë.

Drafti pritet të diskutohet konkretisht me grupet e interesit, ndërsa mbledhja e radhës e këshillit bashkiak do të jetë testi nëse këto propozime do të miratohen apo jo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos