Ekipet e mediave shqiptare, përfshirë A2 CNN dhe Tv Klan prej disa orësh tashmë mbeten të bllokuar në doganën e Kapshticës.
Pala greke iu ka mbajtur përkohësisht pasaportat gazetarëve dhe operatorëve, duke i ndalur udhëtimin drejt Selanikut, ku parashikohej të ndiqnin takimin e kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë që zhvillohet nesër në Porto Palace Hotel, duke nisur nga ora 11:00.
Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi teksa sqaroi situatën në një lidhje live me “Ditarin e Fundjavës”, nga Erion Dushi, tha po ashtu se ka pasur një komunikim telefonik me eurodeputetin grek, ish-kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Fjorela Beleshi: Unë edhe për shkak të kontakteve që kam pasur ditën e fundit jam përpjekur që të komunikoj edhe me eurodeputetin grek, pjesë e partisë së kryeministrit të Greqisë, zotin Fredi Beleri. I deklarova se ju e bëtë mediatike dhe u shqetësuat për një person që protestoi në Tiranë, ndërkohë që gazetarët po i mbajnë në pikën kufitare të Kapshticës, edhe pse me gjithçka në rregull, si me dokuemnte dhe me autorizimet përkatëse dhe përgjigjia e tij ishte: “Po pse?”.
Erion Dushi: Nga z. Beleri a ka pasur një tentativë për të gjetur një zgjidhje apo për t’u angazhuar personalisht? Keni pasur ju një lloj fjale burrërore nga ana e tij që do përpiqet t’ju asistojë?
Fjorela Beleshi: Komunikimi ynë ka mbetur deri në momentin që më pyeti se përse po ju mbajnë aty. Ia shpjegova, por nuk kemi patur një kthim përgjigje ende, apo një komunikim nga ana e tij. Duhet të themi Erion se nuk ka ndodhur ndonjëherë, as në Greqi kur ishim në Maj me operatorë, së bashku me kamera, nuk na ka ndodhur që të na ndalojnë apo kërkojnë një autorizim, sepse një media private nuk ka nevojë për autorizim nga Ministria e Jashtme greke apo shqiptare nëse i ka të gjitha dokumentet apo autorizimet përkatëse për mjetet që disponon. (A2 Televizion)