Kryetari i PD dega Durrës ka dalë në një konferencë për shtyp për të treguar interesimin e tij për banorët e një pallati në lagjen 17 të dëmtuar nga tërmeti. Bashkia e Durrësit kërkon të sqarojë opinionin publik se ky pallat ka një shkallë dëmtimi DS4 dhe do të riforcohet.
Bashkia e Durrësit i ka ndjekur të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë për riforcimin e këtij pallati. Për pallatin nr.62, në lagjen 17, rruga “Neki Libohova” fillimisht është hartuar projekti i detajuar dhe më pas është miratuar edhe fondi përkatës dhe tashmë do të hapet procedura për përcaktimin e firmës fituese që do të fillojë punën për riforcimin e këtij objekti. Me buxhetin e bashkisë Durrës përveç këtij pallati do të riforcohen edhe 6 pallate të tjera:
-pallati nr.15, rruga “Abaz Çelkupa”
-pallati nr. 8, rruga “Pelikan”
-pallati nr.10, rruga “Pelikan”
-pallati “Rajfi” rruga “Iljaz Reka”
-pallati nr.1047 rruga “Taulantia”
-pallati nr.5, rruga “Adria”
Do të ndërtohen edhe dy shkolla të reja Gjimnazi Manëz dhe “Vadardhë” në Sukth, në vend të shkollave aktuale të dëmtuara nga tërmeti.
Z.Myshketa nuk ka një qëndrim të njëjtë me deklaratat që bën. Kreu i PD Durrës e kishte të gjithë mundësinë që të jepte kontributin e tij duke votuar pro rikonstruksionit të këtij pallati e po ashtu edhe 6 pallateve të tjerë si dhe ndërtimit të dy shkollave por ai nuk e bëri këtë.
Siç e tregojmë edhe me këtë foto nga momenti i miratimit të buxhetit për vitin 2024, z.Myshketa dhe të gjithë pjesëtarët e opozitës nuk e kanë votuar buxhetin ku përfshihej edhe fondi për këto objekte. Pra z.Myshketa me qëndrimin e vet zyrtar me votë nuk e dëshiron rikonstruksionin e pallatit për të cilin ka folur, as të 6 pallateve të tjera dhe as ndërtimin e dy shkollave të reja.
Buxheti i bashkisë u miratua në sajë të votës pro, të mazhorancës socialiste duke hapur rrugën e shumë investimeve në shërbim të qytetarëve, si dhe të rikonstruksionit të këtyre pallateve dhe ndërtimit të dy shkollave të reja që do të fillojnë nga puna shumë shpejt.
-Bashkia e Durrësit shpreh keqardhjen për disa persona që luajnë teatër përpara opinionit publik për të bërë detyrat politike të shtëpisë. I kujtojmë z.Myshketa se ai dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të opozitës nuk janë interesuar asnjëherë që nga dita e tërmetit e deri më sot se çfarë bëhet me qytetarët e dëmtuar nga tërmeti.
Ata nuk kanë ofruar asnjë projekt apo ide për rindërtimin e banesave apo shkollave dhe nuk kanë ofruar asnjë lloj ndihme. Për të dhënë ndihmesën e tyre në normalizimin e situatës janë ofruar qeveria dhe të gjithë institucionet shtetërore, qytetarët e thjeshtë të Durrësit dhe të qyteteve të tjera si edhe vullnetarë nga Kosova, Turqia, Italia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Izraeli, Gjermania, Franca etj, etj.
Të vetmit që nuk dhanë asnjë ndihmesë ishin pjesëtarët e opozitës, që bëjnë deklarata sot, më shumë se katër vjet pas tërmetit. Bashkia e Durrësit me mbështetjen e madhe dhe të plotë të qeverisë shqiptare ka punuar çdo ditë me procesin e vështirë dhe kompleks, por të suksesshëm të rindërtimit, që ka bërë të mundur rikthimin e qytetit në normalitet në një kohë të shkurtër.
Ndërkaq, kur ky proces është në fazat e tij të fundit, PD ka filluar fazat e para të monologjeve për interesa thjesht partiake. (A2 Televizion)