I mituri afgan mbahej si "skllav" në Shkodër? Gazetari i A2 CNN zbardh ngjarjen

Nga A2 CNN
14 Tetor 2024, 17:21 | Aktualitet

Në Shkodër, një rast i rëndë i zbuluar këtë të hënë nga autoritetet ka rrëmbyer vëmendjen e publikut. Një i mitur afgan, 16 vjeç, është mbajtur për disa muaj në një servis automjetesh në fshatin Bërdicë e Mesme, raporton A2.

Prania e armëve në atë servis e alarmoi dhe e motivoi që të kontaktonte familjen e tij në Afganistan, e cila më pas informoi Interpolin.

Si pasojë, Interpol Tirana raportoi çështjen te Policia e Shkodrës, cila ndërmori një operacion shpëtimi të quajtur "Minoreni".  Gjatë këtij operacioni, policia arrestoi Alehandro Pashukun, 18 vjeç, ndërsa vëllai i tij Kristian Pashuku u shpall në kërkim, raporton A2.

Operacioni rezultoi edhe në sekuestrimin e disa armëve në ambientet e servisit, duke ngritur dyshime të mëtejshme mbi aktivitetet e jashtëligjshme në atë zonë. Për më tepër, edhe babai dhe një vëlla tjetër i Alehandro Pashukut janë proceduar në gjendje të lirë.

Gazetari Senad Nikshiqi tha në "Ditari" me Bruna Çifligun në A2 CNN, se i mituri ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Informacionet sipas tij tregojnë se i mituri afgan është trajtuar me respekt gjatë gjithë periudhës në servis dhe punonte me dëshirë, por prezenca e armëve e frikësoi.

“Denoncimin në një farë mënyre e ka bërë vetë i mituri, i cili ka gjetur mundësinë të kontaktojë me familjarët e tij në Afganistan. Ditët e fundit 16-vjeçari ka vërejtur disa armë në servis është frikësuar. Sipas burimeve nga policia ka lajmëruar familjarët e tij në Afganistan dhe ata kanë lajmëruar Interpolin dhe më pas Interpol Tirana ka njoftuar Policinë e Shkodrës. Duhet thënë se 16-vjeçari ka punuar me dëshirën e tij në këtë servis, por vetëm prania e armëve e ka frikësuar, duke kërkuar që të largohet. Ndaj tij nuk është ushtruar dhunë e nuk ka ndonjë deklaratë të tillë nga ana e minorenit. Ai kishte disa muaj që punonte aty, të paktën edhe nga dëshmitë e banorëve të zonës dhe të tjerë të cilët kanë shkuar për të blerë pjesë të automjeteve në këtë servis. Ka qenë 16-vjeçari që u ka shërbyer me një sjellje krejt normale, siç mund të ndodhë zakonisht një biznes. Ai po ashtu është gjetur po ashtu një gjendje shumë të mirë ë shëndetësore”, tha Nikshiqi.

Çështja tashmë është në duart e autoriteteve për të vendosur mbi të ardhmen e të riut, nëse do të mbetet në Shqipëri duke kërkuar azil, apo do të kthehet në Afganistan.

Ngjarja hedh dritë mbi sfidat dhe rreziqet me të cilat përballen emigrantët e rinj që kalojnë nëpër Shqipëri për të arritur në vende të tjera të Europës. Rastet e tilla tregojnë se duhet një vëmendje më e madhe nga autoritetet për të parandaluar abuzime të mundshme me të drejtat e emigrantëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos