Sondazh: Sa të kënaqur jeni me cilësinë e arsimit në vend?
  • Shumë 10%
  • Pak 14%
  • Aspak 76%

“Institucionet heshtën”, qytetarët protestë te Ministria e Arsimit për 3-vjeçaren e dhunuar nga edukatorja

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2023, 17:29 | Aktualitet

Dhjetëra qytetarë kanë dalë në protestë, pasditen e kësaj të enjteje, përballë Ministrisë së Arsimit, pasi një edukatore rrahu një 3-vjeçare duke i thyer këmbën. Majlinda Dehima, punonte si edukatore në kopshtin “Stinët”, mirëpo ajo ka “shkelur me 2 këmbë” misionin për të cilin ishte punësuar, përtej çdo ndjenje njerëzore. 

“Mos m’i prek fëmijët”, “Mos përfito nga fakti që unë nuk mbrohem dot”, “Ky nuk është sistem i Arsimit, por sistem i krimit”, janë disa nga pankartat që qytetarët mbajnë në duar, e ndërsa njëzëri thërrasin “ndalni dhunën”.

Përveç saj, për më shumë se 24 orë heshtën dhe institucionet dhe u desh që të publikohej ky skandal, që të kuptohej që ky kopsht ishte e palicensuar.

Për këtë arsye, qytetarët kanë dalë në protestë ku kërkojnë drejtësi. Ato kanë kërkuar më shumë siguri për fëmijët e tyre në kopshtet dhe çerdhet private, si edhe punonjës të kualifikuar në institucionet shtetërore. Pas Ministrisë së Arsimit, janë drejtuar drejt Ministrisë së Brendshme. 

Ndërkohë, Policia e Tiranës ka arrestuar edukatoren. Ndaj saj rëndon akuza për veprën penale "Keqtrajtimi i të miturit".

Dehima punonte si edukatore dhe pas denoncimit të prindërve në një emision investigativ u vu re se ka keqtrajtuar një të mitur, ku nga dhuna asaj iu thye këmba. Për më tepër, 3-vjeçarja u la pa ndihmë mjekësore për më shumë se 5 orë.

Ditari A2 CNN