Delegacioni i BE në Tiranë ka publikuar konkluzionet e takimit të 16-të të Nënkomitetit për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.
Në takimin që u realizua më 11-12 shkurt, e që përkoi edhe me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, mësohet se Komisioni Evropian dhe autoritetet shqiptare diskutuan kryesisht mbi zhvillimet në kuadër të reformës në drejtësi dhe rolit të SPAK.
Komisioni Evropian ka mirëpritur rezultatet e vazhdueshme të organeve të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve të ndërlikuara të korrupsionit dhe krimit të organizuar është një shtyllë kryesore e reformës në drejtësi të vitit 2016, për konsolidimin e mëtejshëm të së cilës BE-ja ofron mbështetje dhe promovim si pjesë integrale e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë. SPAK ka kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë rastet në nivel të lartë”, nënvizon BE.
Lidhur me ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi, Komisioni mirëpriti përfundimin me sukses të procesit të rivlerësimit të përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting) në shkallën e parë.
Po ashtu, theksoi nevojën për konsolidimin e mëtejshëm të pavarësisë, llogaridhënies, integritetit dhe cilësisë së sistemit gjyqësor, si dhe përpjekjet për rritjen e efikasitetit në të gjitha nivelet. Komisioni nënvizoi gjithashtu rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të përpjekjeve për të ushtruar ndikim të padrejtë mbi gjyqësorin.
Po ashtu gjatë takimi, ku mbajti fjalën e tij edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, u theksua rëndësia e përparimit të mëtejshëm në përafrimin me acquis-në e BE-së në këtë fushë dhe funksionalizimi i plotë i Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, e krijuar brenda Policisë së Shtetit.
“Komisioni Evropian vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë dhe kërkoi rritjen e efikasitetit në kuadrin e parandalimit të korrupsionit, veçanërisht në sektorët e cenueshëm, si dhe forcimin e verifikimit të deklarimeve të pasurisë. Gjithashtu, Komisioni kujtoi domosdoshmërinë për adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të GRECO-s”, nënvizohet më tej.
Sa i përket bashkëpunimit në fushën e luftës kundër drogave, Komisioni mori në dijeni krijimin e fundit të një Sistemi Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm dhe inkurajoi funksionalizimin e tij të plotë. Gjithashtu, u bë thirrje për ngritjen sa më shpejt të një Observatori Kombëtar të Drogave me burime të mjaftueshme. Shqipëria u ftua të forcojë ndëshkimin e shkeljeve kundër kultivimit të paligjshëm të kanabisit.
Lidhur me azilin, vizat, migracionin dhe menaxhimin e kufijve, Komisioni mirëpriti progresin e mirë të Shqipërisë në zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, mbeten ende përpjekje për të përafruar më tej politikën e vizave të Shqipërisë me atë të BE-së dhe për të reduktuar aplikimet e pabazuara për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet anëtare të BE-së. Shqipëria u ftua të krijojë struktura të posaçme për pritjen dhe akomodimin e të miturve të pashoqëruar dhe të sigurojë përfshirjen efektive të tyre në sistemin kombëtar të mbrojtjes së fëmijëve.
Në lidhje me të drejtat themelore, Komisioni Evropian mirëpriti përparimin e Shqipërisë në përafrimin me acquis-në e BE-së në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe progresin në miratimin e legjislacionit zbatues për të drejtat e personave që i përkasin pakicave. Zbatimi i këtyre reformave mbetet kyç. Po ashtu, u theksua nevoja për progres në fushat e lirisë së shprehjes, barazisë dhe mosdiskriminimit, të drejtës së pronës dhe të drejtave të fëmijëve. (A2 Televizion)