Puset, që janë ndërtuar si bunkerët e dikurshëm, janë mundësia e vetme e banorëve të Panahorit për të siguruar ujë për larje apo për vaditje.
Edhe pse ky fshat ndodhet shumë pranë qytezës së Ballshit, prej më shumë së tre dekadash në këto banesa nuk ka ardhur asnjë pikë ujë nga sistemi i ujësjellësit.
Ky element bazik për jetën sigurohet në forma të ndryshme nga vetë banorët, duke vështirësuar jo vetëm jetesën, por duke rritur edhe kostot.
Madje, një prej banorëve shprehet se mungesa e ujit dhe përdorimi i ujërave të pusit apo burimeve, pa i kontrolluar ato rrezikon edhe përhapjen e sëmundjeve.
Pas 3 dekadash pa ujë, Panahori, tashmë po përjeton edhe braktisjen e banorëve të dikurshëm, dhe këtë e vërtetojnë rrugët bosh, por edhe banesat e rrënuara apo dyert e kyçyra me dryna të ndryshkur. (A2 Televizion)