Ndikojnë edhe çmimet, Gjirokastra "po shijon" turizmin gjithëvjetor

Nga Rigels Malile dhe Gazmend Janku
15 Tetor 2024, 14:02 | Aktualitet

Mes tetorit dhe turistët në Gjirokastër vijojnë të gjallërojnë qafën e pazarit, hotelet dhe restorantet. Ajo që synohej vite më parë duket se tashmë mund të quhet realitet: turizmi gjithëvjetor në qytetin e UNESCO-s.

Përveç vlerave historike dhe kulturore, si dhe kulinarisë dhe mikpritjes, duket se në zgjatjen e sezonit përtej atij veror po kontribuojnë edhe çmimet e favorshme që po aplikohen në këtë periudhë nga hotelet dhe restorantet. Madje, për muajt nëntor dhe dhjetor, çmimet pritet të jenë akoma edhe më të ulta.

Çmimet janë pjesë e ofertës që subjektet e shërbimit dhe ato akomoduese synojnë të mbajnë sa më gjatë turistët në Gjirokastër, dhe për këtë administratorët shprehen se duhet të vendosen standarde në mënyrë që turisti të ikë i kënaqur, dhe fitimi të realizohet përmes xhiros dhe jo çmimeve të larta.

Nga janari deri më tani, nga të dhënat paraprake, rezulton se Gjirokastrën e kanë vizituar së paku 400 mijë turistë, kryesisht të huaj. Kjo shifër premton të jetë në rritje edhe në muajt nëntor dhe dhjetor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos