Samiti për Procesin e Berlinit, firmosen ujdi për tregtinë dhe arsimin, Kosova i heq vizat Bosnjës

Nga Xhevahir Qardaku
14 Tetor 2024, 18:21 | Aktualitet

Samiti për Procesin e Berlinit ishte një sukses. Në 10 vjetorin e nismës së ndërmarrë nga Gjermania për të afruar vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian fillimisht u falënderua Kosova, që me vendimin për lejimin e hyrjes së mallrave serbe në territorin e saj, zhbllokoi CEFTA-n dhe aktivizoi disa marrëveshje të tjera.

Kancelari Olaf Scholz, porositi Prishtinën dhe Beogradin që të lënë pas të kaluarën dhe hijen e konflikteve për t’i kthyer sytë nga e ardhmja, shkruan A2.

“Ne kemi nevojë për një dinamikë të re në procesin e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kështu që dëshiroj t'u them miqve tanë nga Beogradi dhe Prishtina si vijon: Ju lutemi, mos lejoni që e kaluara t'ju pengojë në rrugën tuaj drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë. Unë mbetem i bindur se kjo e ardhme qëndron në BE dhe ka vetëm një rrugë që të çon atje, zbatimi besnik dhe i plotë i marrëveshjeve që keni arritur tashmë. Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me ju të dy për të siguruar që ne ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në tryezë prezantoi një listë me 10 pika mes arritjesh dhe shqetësimesh, ndërsa njoftoi se që nga 1 janari i ardhshëm, Republika e Kosovës do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës, raporton A2.

Me të mbyllur punimet në tryezën e rrumbullakët, liderët kaluan në tavolinën e firmave. Kryeministrat dhe përfaqësuesit nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Kosova nënshkruan marrëveshje për përmirësimin e aksesit në arsimin e lartë dhe një deklaratë për një plan veprimi për tregun e përbashkët rajonal. 

Përveç liderëve të Ballkanit Perëndimor, të pranishëm në këtë event ishin dhe përfaqësues nga vendet e Bashkimit Europian, përfshirë presidenten e komisionit, Ursula von der Leyen. 

“Kur ne shohim drejt së ardhmes, ne po shohim një të ardhme ku të gjitha 6 vendet partnere në Ballkanin Perëndimor janë pjesë e Bashkimit Europian. Për të arritur aty, besoj se ne duhet të nxjerrim mësime nga zgjerimi i vitit 2004. Parakushti i parë është njehsimi me vlerat tona themelore: respekti për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Parakushti i dytë është integrimi i hershëm ekonomik. Prandaj Procesi i Berlini luan një rol kyç”, deklari Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.

Gjatë fotografisë familjare të samitit të Procesit të Berlinit, në një moment shihet kryeministri Edi Rama që afron homologun Kurti në një bisedë me liderin hungarez Viktor Orban. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos