Ekipi i gazetarëve dhe operatorëve të A2 CNN po mbahet ‘peng’ prej 3 orësh në doganën e Kapshticës, teksa ishin nisur për në Selanik, për të ndjekur takimin e kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë atje, që do të zhvillohet ditën e nesërme.
Por ajo që vihet re është se shoqatat e medias kanë ‘kyçur gojën’ dhe nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë situatë.
Gazetarja Fjorela Beleshi është shprehur më herët se atyre u janë mbajtur pasaportat nga pala greke dhe ende nuk ka një reagim, megjithëse sipas saj, ka pasur një ‘notë proteste’ nga Shqipëria për Ministrinë e Jashtme greke.
Ajo tha gjithashtu se pala greke në doganë e argumenton veprimin e saj me argumentin se nevojitet një konfirmim nga Ministria e Jashtme në vendin fqinj, shkruan A2 CNN.
“Prej afro 3 orësh ekipi i A2 CNN ndodhet në doganën e Kapshticës nga pala greke, pasi Policia greke nuk na lejon që të largohemi.
Na kanë mbajtur pasaportat me pretendimin se pritet një konfirmim nga Ministria e Jashtme greke që ne të zhvendosemi më parë në Selanik për të ndjekur aktivitetin e kryeministrit Rama me shqiptarët aty.
A2 CNN ka komunikuar edhe me Ministrinë e Jashtme se pse po vonon ky konfirmim, edhe pse ka patur një notë verbale nga pala shqiptare drejtuar Ministristrisë së Jashtme greke, ata na deklaruan se së shpejti do të vijë konfirmimi”, tha gazetarja Fjorela Beleshi. (A2 Televizion)