Profesori ngre alarmin: AKU Tiranë që kontrollon ushqimin e 1 milion shqiptarëve ka vetëm 1 agronom

Nga A2 CNN
9 Tetor 2024, 10:05 | Aktualitet

Profesori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Gjok Vuksani, ngriti në “Dita Jonë” alarmin për mungesën e profesionistëve në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Ai tha se sot ka një uri të jashtëzakonshme për të rinj të profilizuar në veterinari dhe hortikulturë në bujqësinë shqiptare, por numri i studentëve që po përzgjedhin për të studiuar degë të tilla është shumë i ulët.

Vuksani e ilustroi problemin me disa shembuj, duke nënvizuar po ashtu se vendin e punës së studentëve që dalin nga UBT në agjenci si AKU, etj... e kanë zënë juristë apo teknikë që nuk mund të japin zgjidhje për probleme të sektorit të bujqësisë apo blegtorisë.

“Ne nuk është se kemi prodhim dhe nuk është cilësor. Ne po themi që kemi një uri të jashtëzakonshme të Bujqësisë shqiptare për hortikulturistë dhe veterinerë. Po ju jap një shembull: Në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për Tiranën që kontrollon ushqimin e gati 1 milionë shqiptarëve në Tiranë, në sektorin e mbrojtjes së bimëve dhe imputeve bujqësore, që duhet të jenë të gjithë agronomë, ka vetëm një agronom. Problemi është i tillë, sipas një studimi të 2022 te Agjencia e Pagesave të Industrisë së Bujqësisë që jep subvencionet, 64% e stafit të kësaj agjencie janë jashtë profilit. Thënë ndryshe ata i kanë zënë vendin e punës një studenti që ka mbarur tek unë apo te Ekonomiku në Tiranë. Në qoftë se je kontrollor për blegtorinë, duhet të jesh ose veteriner, ose zooteknik dhe duhet të kesh mbaruar bachelor-in dhe masterin. Vetëm ai është i zoti, ka aftësi që të përshkruajë me një akt kontrolli investimin. Por në vendin e tij mund të jetë një jurist, apo një teknolog që nuk ka aftësi profesionale për të bërë këtë punë. Ky është problemi kryesor, që ta kapim demin nga brirët”, tha Vuksani në “Dita Jonë”, në A2 CNN.

Profesori evidentoi edhe problemin e nepotizmit në punësimin e të rinjve, duke thënë se ata fillimisht duhet t’i shërbejnë një partie politike përpara se të jenë specialistë të denjë të një fushe të caktuar.

“Nuk ka meritokraci në vendin e punës. Një student që mbaron shkollën është më pak i prirur për t’u marrë në punë nëse nuk ka lidhje me një parti politike. Sidomos me partitë politike që janë në pushtet. Një student një specialist përveçse duhet të jetë specialist duhet t’i shërbejë edhe partisë politike, duhet të marrë vota që të punojë”, tha Vuksani në “Dita Jonë”, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos