Qeveria paralajmëron reformë të thellë në arsimin parashkollor! Kualifikimi i edukatoreve “në sitë”

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2023, 11:45 | Aktualitet

Pas dhunës së 3-vjeçares, Ministria e Arsimit ka paralajmëruar një reformë të thellë në Arsimin parashkollor, që përfshin kopshtet dhe çerdhet. Ministrja Ogerta Manastirliu prezantoi me pika disa nga ndryshimet thelbësore që janë parashikuar, që nisin që nga ndryshimi i ligjit, për të vijuar të rregullat e hapjes së një kopshti ose një çerdheje deri te kualifikimi i edukatoreve.

Ndalur te pika e fundit, Manastirliu tha se përveç portalit “mësues për Shqipërinë”, edukatoret do të kalojnë në një sistem të plotë të verifikimit të kualifikimit, e ndërsa shtoi se do të ngrihen struktura edhe për trajnimin e tyre.

“Reformë për arsimin parashkollor, është parësore kujdesi ndaj fëmijëve dhe nevoja për të pasur jo vetëm një analizë shumë të më të thellë, por edhe për të adresuar të gjitha problematikat, jemi duke vlerësuar për të parë nëse kemi nevojë që të kemi një ligj të posaçëm për arsimin parashkollor, duke përfshirë edhe çerdhet, lidhur me standartet, na duhet të forcojmë standartet, monitorimit dhe riorganizim të vetë strukturës së Arsimit Parauniveristar, dhe duke trajnuar inspektorët. Ata që kujdesen për fëmijët janë edukatoret, prandaj gjithë aspekti për edukatorët dhe mësuesit, na nevojitet një plan sa i orientuar drejt rritjes së standardit dhe cilësisë, në vlerësimet tona dhe pse kemi pasur standartizimin e portalit, duke të kemi më shumë vëmendje të trajnimi i tyre, dhe edukatorët të futen në një sistem tërësor të verifikimit të kualifikimit të tyre. Jo vetëm vlerësim, por edhe trajnim, do prekë të gjitha hallkat e Arsimit parashkollor, nga legjislacioni, nga mënyra se si hapet një kopsht ose një çerdhe, apo edhe në investime në infrastrukturën parashkollore”, tha Manastirliu.

Pas këtij rasti dhune, janë ushtruar kontrolle intensive në 90 kopshte dhe çedhe nga të cilat, 10 prej tyre kanë rezultuar pa licencë. Nga këto 10 kopshte, 8 prej tyre nuk kishin aplikuar fare, 2 prej tyre u ishte refuzuar leja, e ndërsa 13 të tjera ushtronin veprimtarinë e tyre si qendra me shërbim ditor, në kundërshtim me ligjin.

Pikat më të rëndësishme të Reformës në sistemin parashkollor

1- Rishikimin e plotë të paketës së akteve ligjore e nënligjore (pra do të referohen përgjegjësi të reja të ofruesve të shërbimeve në çerdhe dhe kopshte; procedurat e hapjes/mbylljes dhe standardeve të infrastrukturës dhe mirërritjes që duhet të plotësojnë institucionet e edukimit dhe arsimimit të fëmijëve të grupmoshës 0-6 vjeç);

2- Standardet të reja të kujdesit, edukimit dhe arsimimit të fëmijëve deri në 6 vjeç, në institucionet e arsimit parashkollor, me fokus rishikimin e kurrikulës dhe mbështetjen edukatorëve/mësueseve në arsimin parashkollor.

3- Forcimin e strukturës së inspektimit dhe instrumentave të monitorimin dhe veprimtarisë së subjekteve ofrues të shërbimeve parashkollore.
 
4- Ngritjen dhe fuqizimin e mekanizmave të parandalimit dhe sinjalizimit të hershëm në arsimin parashkollor, kundër çdo forme dhune apo çdo fenomeni të dëmshëm që cënon shëndetin dhe mirëqënien e fëmijëve tanë.

5- Një kornizë e re për Vlerësimin të Cilësisë në Arsimin Parashkollor me standartet e reja për punësimin dhe edukimin në vazhdim të edukatorëve në këtë sistem.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu