Sondazh: Të bëhesh i pasur në Shqipëri është:
  • E lehtë 10%
  • E vështirë 60%
  • E pamundur 30%

Reshje të dendura bore në Veri dhe Juglindje të vendit, të aksesueshme rrugët drejt Thethit e Dardhës

Nga Ergys Kavaja dhe Artin Halili
12 Shkurt 2024, 10:21 | Aktualitet

Reshjet e dendura të dëborës kanë mbërthyer veriun e vendit, gjatë orëve të para të mëngjesit.

Raportohet se në akset e Lotit 1, Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh & Bogë-Theth ka pasur rënie gurësh e inertesh nga shpatet, të cilat janë pastruar nga kompanitë mirëmbajtëse të rrugëve.

Pavarësisht reshjeve të borës, borëpastrueset kanë bërë të mundur që të mos ketë probleme me qarkullimin e mjeteve.

Në aksin Bogë-Theth, bora vazhdon të bjerë me intensitet të lartë, ndaj po punohet me dy borëpastruese për të mbajtur rrugën të hapur.

Reshjet e dëborës janë rikthyer edhe në zonat malore të juglindjes së vendit. Më të dendura reshjet kanë qenë në lartësitë në 1200 metra mbi nivelin e detit, madje në afërsi të Bigëllit në Dardhë trashësia ka arritur në 10-15 cm.

Aksi rrugor është i kalueshëm pa probleme, ndërkohë që reshje dëbore të dendura ka pasur edhe në fshatrat e Devollit të Sipërm, Sinicë, Qytezë, Arrze, Nikolice.

Reshje bore ka pasur edhe në zonën e Shtyllës së Vithkuqit, por trashësia nuk ka qenë më e madhe se 5 cm në majë të Mashkullorës.

Nga reshjet e dëborës të orëve të fundit nuk raportohen probleme përsa i përket qarkullimit në zonat malore kjo edhe sepse temperaturat nuk kanë shkuar nën minus.

Nga ana e OSSHE-së zyrtarisht u tha se në asnjë prej zonave të qarkut të Korçës nuk ka pasur probleme përsa i përket furnizimit me energji elektrike. Në disa zona ka pasur vetëm stakime të kontrolluara për shkak të stuhisë një natë më parë

A2 CNN Livestream

Dita jonë