“Situatë alarmante nga reshjet në Vlorë”, kryebashkiaku Dredha: Kemi evakuuar mbi 30 familje

Nga A2 CNN
4 Tetor 2024, 19:33 | Aktualitet

Alarmante e përshkroi situatën e sotme nga reshjet në qytetin e Vlorës, kryebashkiaku Ermal Dredha. Në një deklaratë për gazetarët, ai tha se janë evakuuar mbi 30 familje, ndërsa kërkesa për ndërhyrje të grupeve të emergjencës ka në disa lagje të Vlorës. Sipas tij, reshjet e dendura që zgjatën mbi dy orë e gjysmë pa ndalim shkaktuan daljen nga shtrati të kanalit të ujërave të larta, raporton A2.

“Situata vijon të jetë jo ajo që duam. Kjo për shkak të prurjeve të reshjeve të dendura që zgjatën 2 orë e gjysmë pa ndalim, çka  shkaktoi efekt negativ te kanali i ujërave të larta i cili ka dalë jashtë shtratit dhe ka vërshuan jashtë qytetit. Jemi angazhuar me të gjithë njerëzit në terren për të menaxhuar, por situata ka qenë alarmante, megjithatë do mundohemi sa të mundemi. Te Bishti i Kalldrëmit është bllokuar një nga nyjet, po presim skrapin për të hapur kalimin e ujit në këtë zonë”.

Sipas tij, të evakuuarit do të vendosen në konviktin e shkollës mjekësore, ndërsa grupet e emergjencave civile janë të gjitha në terren. Ai tha se nga reshjet intensive hidrovori kaloi mbi nivelin e detit për një kohë të gjatë, raporton A2.

“Janë disa lagje që janë afektuar nga këto reshje. Jemi marrë më shumë me evakuimin. Mbi 30 familje që janë evakuaar. Jemi të gjithë në terren me grupet e emergjencave civile për t’i vënë në dispozicion konviktet e shkollës së Mjekësisë. Ka kërkesa nëpër lagje që ne të ndërhyjmë. Hidrovori ka qenë në punë, por me ato nivele reshjesh kaloi mbi nivelin e detit për një kohë të gjatë dhe ishte e pamundur të tërhiqnin në sasinë e duhur. Tani po tërheq në sasinë maksimale dhe shpresojmë të kthehemi në normalitet”, theksoi Dredha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos