Pronarët e një farmacie në Vlorë janë bllokuar brenda për shkak të situatës së përkeqësuar nga reshjet dhe përmbytjet në rrugë. Gazetarja e A2 CNN Jerola Ziaj raporton se për nxjerrjen e tyre jashtë farmacisë kanë ndërhyrë zjarrfikëset. Sipas në rrugën “Albano dhe Romina” situata është kaotike.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar kolaps total në qytetin e Vlorës me përmbytje në rrugë, sheshe dhe biznese, duke bllokuar qarkullimin.
Në videot e mbërritura në redaksinë e A2 CNN duken rrugët që janë të mbuluara nga uji, që ka hyrë edhe në disa biznese e banesa duke shkaktuar përmbytje dhe dëme.
Përmbytje ka edhe në zonë e Zvërnecit dhe në Manastir.
Bashkia e Vlorës ka paralajmëruar qytetarët për përkeqësim të motit në orët në vijim dhe u ka bërë thirrje të mos parkojnë automjetet në zonat me risk të lartë dhe të kenë kujdes.
“Në orët në vijim, qyteti i Vlorës pritet të përfshihet nga reshje shiu me intensitet të lartë. Ju bëjmë thirrje të jeni vigjilentë dhe të mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë si: "Albano&Romina", Biblioteka Publike, pranë Kishës Ortodokse, në "Skelë" te dykalimshi. Grupet tona të Ujësjellës Kanalizime dhe Bashkisë së Vlorës, do të jenë në terren në monitorimin e situatës dhe në ndërhyrje sipas rastit nëse do të jetë e nevojshme. Nëse hasni problematika nga reshjet e shiut me prezencë të ujit, na kontaktoni: EMERGJENCAT: 128, Policia Bashkiake: 033 404 404, Policia e shtetit – 129, Ambulanca -127. Bëni kujdes!”, shkruan Bashkia e Vlorës në Facebook.
(A2 Televizion)