Ndonëse të organizuar në dy aktivitete të veçanta, gjyqtarët e vendit ndanë të njëjtat shqetësime dhe probleme të aktualitetit të gjyqësorit. Problemi më madhor i vërejtur prej tyre ishte stoku i dosjeve që presin gjykimin, në një kohë që sistemi ka shumë vende bosh për shkak të vetingut, kur mungojnë ndihmësit ligjore, si edhe kushtet infrastrukturore.
“Gjykatat e apelit dhe ato të shkallës së parë po përballen me një backlog të frikshëm në shifra që rriten përditë. Nuk po kuptohet se backlogu prej 60.000 çështjesh, po çon drejt kolapsit dy gjykatat e apelit, që pas disa viteve do transferohet përsëri në Gjykatën e Lartë”, tha Sadushi.
Në aktivitetin paralel, anëtarët e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë theksuan se ngarkesa e lartë e gjyqtarëve, ndikon negativisht në cilësinë e vendimeve.
“Gjyqtarët nëpër gjykata po përballen me 3-4 fishin e ngarkesës normale. Në Gjykatën e Tiranës gjyqtarët kanë dhënë mbi 1 mijë vendime në vit. Nëse janë 200 ditë pune i bie 5 vendime në ditë. Një vendim kërkon kohë, nëse duhet të japim një vendim cilësor. Por ne jemi edhe njerëz që kemi familje, detyrime familjare”, u shpreh Gerd Hoxha, kreu i unionit.
Në sallën ku nuk ishte prezente drejtuesja e Këshillit tëLartë Gjyësor, kreu i gjykatës së Lartë ngriti gishtin e akuzës ndaj Këshillit,si organ që nuk po arrin eficensën e dëshiruar nga gjyqtarët.
“Nuk ka një planifikim strategjik mbi numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve këshilltarëve/ndihmësve ligjorë e stafit administrativ për 5 vitet e ardhshme, ndërkohë që sistemi ynë nuk plotëson as gjysmën e numrit mesatar të gjyqtarëve për 100.000 banorë”, theksoi Sadushi.
Në aktivitetin e Unionit të Gjyqëtarëve, drejtuesja e KLGJ mbështeti shqetësimet, por theksoi se Këshilli nuk po mbështetej sa duhet nga qeveria. Naureda Llagami
“Çfarë t’i kërkon unë Gjykatës së Apelit Tiranë të gjykojë më shumë kur nuk ka salla. Çfarë mund t’i kërkoj unë më shumë Gjykatës Penale Tiranë, kur nuk ka salla. Në këto 5 vjet qeveria ka dhënë një mbështetje minimaliste. Pavarësisht se ne miratuam hartën dhe gjetëm mirëkuptim nga qeveria për hartën, por kur vjen puna në mbështetjen financiare të hartës, edhe pse e kanë miratuar në PBA e KLGJ, prapë nuk e kemi të zbatuar. Nuk janë marrë masat për të na ofruar godinën e Apelit. Kemi 5 vjet që na jepet lekët për projektin, por nuk na jepet trualli”, tha Naureda Llagami.
Në të dy aktivitetet, njëzëri gjyqtarët shprehën nevojën e mirëmenaxhimit të sistemit gjyqësor, për të përmbushur misionin e dhënies së drejtësisë cilësore në kohë të arsyeshme. (A2 Televizion)