Tubimi pro SPAK, Shabani: Aleanca e qelbësirave u plotësua me Ramën, të arrestohet

Nga A2 CNN
13 Shkurt 2025, 12:19 | Aktualitet

Para dyerve të SPAK është zhvilluar një tubim në shenjë mbështetjeje ndaj Prokurorisë së Posaçme, tre ditë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i cili akuzohet për korrurpsion dhe pastrim parash.

Dhjetëra qytetarë së bashku me drejtuesit e partive të reja opozitare, “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje” mbajnë në duar pankarta ku shkruhet “Faleminderit SPAK”.

Për mediat foli kreu i “Nisma Thurje”, Endri Shabani, i cili tha se aleanca e qelbësirave, ku sipas tij bëjnë pjesë Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama, u plotësua ma arrestimin e Veliajt dhe së bashku kërkojnë të godasin SPAK-un.

“Duan ta mbajnë këtë vend në tranzicion, që ka 34 vite që ky popull vidhet, përqeshet dhe merret zvarrë dhe këtyre nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë. Ne duam që kjo të marrë fund dhe aleanca e qelbësirave do që kjo gjë të vazhdojë. Ne jemi padyshim bashkë kundër tyre dhe padyshim jemi bashkë me Shqipëria Bëhet, me çdo të ri, me çdo qytetar të ndershëm që do që pandëshkueshmëria në këtë vend të marrë fund”, u shpreh Shabani.

I pyetur nga gazetarët përse nuk zhvilluan tubime në mbështetje të SPAK pas protestave kundër këtij institucioni nga mbështetësit e Berishës dhe Partia e Lirisë, Shabani tha: “Sepse sot u plotësua aleanca e qelbësirave”.

“Aty ishte Berisha me Metën, tani u shtua dhe Rama. Dhe kanë dalë hapur. Ka dy fronte. Sepse deri tani Rama e sulmonte nën rrogoz, përdorte komisionet hetimore për të sulmuar SPAK-un. Tani është e qartë”, sqaroi Shabani më tej.

Kreu i “Nisma Thurje” kërkoi po ashtu arrestimin e kryeministrit Edi Rama, pasi sipas tij ka uzurpzuar Bashkinë e Tiranës dhe në 48 orët e fundit ka intimiduar dëshmitarë në çështjen “Veliaj” dhe i ka bërë presion institucioneve të drejtësisë.

“Ka dy zgjedhje. Ata që duan që ky vend mos të ketë drejtësi. Që këtu të shkojnë në burg vetëm nënat që lidhin energjinë elektrike në mënyrë të parregullt, baballarët që riparojnë çatinë, por këta që na kanë vjedhur mos të shkojnë kurrë në burg. Edi Rama doli hapur duke sulmuar SPAK-un. Rama është një kryeministër në detyrë që duhet arrestuar pasi në këto 48 orë po prish provat, po intimidon dëshmitarët, ka shkuar nga kryeministër që është pushtet qendror, ka shkuar në zyrën e Bashkisë duke uzurpuar një pushtet vendor. Pra ka dalë nga shinat. Prandaj ky është komenti për të mbështetur SPAK-un dhe unë dua ti them: ‘Nuk jeni kurrë vetëm’. Padyshim që keni përballë kriminelët dhe hajdutët, por ju keni në krah popullin shqiptar”, tha Shabani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos