U kapën gati 7 mijë gjatë 2023, refugjatët nga Lindja dhe Afrika përdorin Shqipërinë për të shkuar në BE

Nga A2 CNN
14 Mars 2024, 19:41 | Aktualitet

Flukset po bien, por Shqipëria vijon të konsiderohet vend transit për emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë se gjatë vitit të shkuar u kapën 6 mijë e 624 emigrantë të parregullt. Krahasuar me vitin 2022, hyrjet e paligjshme janë përgjysmuar, por gjithsesi ato mbeten mbi nivelet e periudhës së para pandemisë.

“Kjo nuk është një karakteristikë vetëm për Shqipërinë. Të dhënat e FRONTEX tregojnë se të gjitha vendet e Rajonit po përballen me flukse emigrantësh. Shifrat janë në nivele ende të larta”, u shpreh studiuesja Armela Xhaho.

Sipas të dhënave, rreth 65 për qind e tyre kapen në pikat kufitare të vendit, ndërsa pjesa tjetër pasi kanë depërtuar në territor.

“Dhe kryesisht në kufirin Kapshticë-Kakavijë. Ky është një trend ndryshe nga vitet e mëhershme. Më parë kapeshin rëndom edhe brenda territorit të Shqipërisë”, shton Xhaho.

Të dhënat tregojnë se edhe ata që hyjnë brendësi të territorit, qëndrojnë për pak ditë në qendrat e refugjatëve dhe më pas largohen. Numri i tyre nuk e kalon shifrën e 60 personave në muaj.

“Ata e kanë rrugëtim kalimthi Shqipërinë. Nuk kërkojnë azil. ata duan të ikin në Perëndim. aty e kanë destinacionin e synuar”.

Emigrantët e parregullt të kapur në Shqipëri vitin e shkuar janë kryesisht nga Siria, Maroku, Algjeria e shtete të tjera të varfra ekonomikisht ose në konflikte dhe hyjnë në vend përmes pikave kufitare me Greqinë duke u përpjekur më pas që nëpërmjet veriut të vendit t’i drejtohen “Rrugës Ballkanike” për t’u stacionuar më pas në “Perëndim”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos