U kërkua në "këshillimin kombëtar", propozohet rritja e gjobave me 30% ndaj atyre që ndotin mjedisin

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2024, 11:45 | Aktualitet



Pasi më shumë se 348 mijë qytetarë kërkuan ashpërsimin e masave ndëshkuese gjatë të ashtuquajturit “Këshillim Kombëtar” dy vite më parë, qeveria ka rritur me 30 për qind gjobat ndaj ndotësve të mjedisit.

Në konsultim publik është hedhur projektligji “Për disa ndryshime ligjin për mbrojtjen e mjedisit”.  Baza e re ligjore sugjeron masa ndëshkuese që nisin nga 390 mijë e deri në 650 mijë lekë për ata që shkarkojnë mbetje apo ndotin ajrin. Gjoba rritet deri në 2 milion e 600 mijë lekë për ata që shkaktojnë dëme ta pa-rekuperueshme në mjedis.

“Çdo ndryshim në drejtim të shtrëngimit të masave ndëshkuese është i mirëpritur. Unë nuk mendoj se Shqipëria e ka problemin te baza ligjore, por te zbatimi i saj. Edhe në këtë rast, nëse nuk kemi burime njerëzore dhe infrastrukturë, sado të rrisim gjobat asgjë nuk do të ndryshojë”, tha eksperti Rodion Gjoka.

Veç masës, nëse ndryshimet ligjore do të miratohen, gjoba kthehet në “titull ekzekutiv”. Ajo duhet të paguhet brenda 10 ditëve nga data kur është njoftuar kundërvajtësi. Në rast se kjo nuk ndodh, masa ndëshkuese do të vilet nga përmbaruesi.

“Është një politikë që ndiqet edhe nga vendet e Bashkimit Europian. Nëse qeveria do ta ketë seriozisht , efketet mund të jenë pozitive. Por nuk duhet të ketë selektivitet dhe masa ndëshkuese preferenciale”, shton Gjoka.

Aktualisht, nga 5 migro-gramë për metër kub që është limiti sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përqendrimi i grimcave të imëta të prodhuara kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile, të njohur si PM 2.5 ka rritur në 16 migro-gramë për metër kub.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos