Pasojat e braktisjes së vendit, Universitetet po mbledhin më pak para nga tarifat e studentëve

Nga Marjo Brakaj
17 Mars 2024, 15:00 | Ekonomi

Universitetet publike po mbledhin më pak para nga tarifat që studentët paguajnë. Kjo për shkak të pakësimit të numrit të këtyre të fundi. Të dhënat nga “tatimet” tregojnë se gjatë vitit të shkuar institucionet shtetërore të arsimit të lartë grumbulluan pak më shumë se 143 milionë lekë. Në krahasim me 2022-shin, arkëtimet nga tarifa e studimit u rrudhën me gati 16 milionë lekë apo 9.8 për qind.

“Kjo ka të bëjë me largimin masiv të të rinjve. Ne jemi të gjithë jemi koshientë për këtë gjë. Ne kemi të afërm që janë larguar,” shprehet pedagogia Mirela Karabina.

Në vetëm 5 vitet e fundit, numri i maturantë të regjistruar në universitete është tkurrur me gati 6 mijë. Nga rreth 25 mijë në vitin akademik 2019-2020, numri i atyre që u ulën për herë të parë në auditorët e fakulteteve ka rënë në pak më shumë se 19 mijë.

“Kjo kërkon patjetër reagim pasi nëse të rinjtë do largohen, auditorët do të mbesin bosh dhe universitet do të humbin kuptimin.”

Vetëm në vitin akademik 2023-2024, më shumë se 11 mijë maturantë aplikuan për të studiuar në universitete jashtë vendit. Kjo në një kohë që qeveria po përpiqet t’i mbajë ata në vend duke i joshur me bursa e lehtësi të tjera nëse zgjedhin disa programe studimi të shpallura si “prioritet kombëtar.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos