15 marsi është “Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit”. Këtë vit ajo ju kushtua marrëdhënieve të qytetarëve me disa nga shoqëritë e kursim-kredisë. Për shkak të mos-përmbajtjes së kushteve të kontratës shumë prej qytetarëve përballen me penalitete.
Pasi refuzohen nga bankat për shkak se nuk plotësojnë kushtet, për të mobiluar shtëpinë, ikur me pushime apo për nevoja emergjente shëndetësore, shumë shqiptarë iu drejtohen institucioneve të kursim-kredisë. Aktualisht janë gati 200 mijë shqiptarë kanë një kredi ende për të shlyer në këto institucione financiare, 2.5 herë më shumë se në 2018-n.
Por për shkak të mos-përmb54ajtjes së kushteve të kontratës shumë prej tyre janë përballur me penalitete.
“Kreditë konsumatorë janë një nga plagët e shoqërisë shqiptare, ku konsumatorët për shkak të nivelit të ulët të informacionit, për shkak se pjesa më e madhe janë konsumatorë vulnerabël sepse pasi edhe ju e thatë në këto lloj institucione shkojnë ata konsumatorë që nuk përmbushin kushtet dhe standardet për të shkuar në banka dhe kjo ka sjellë efekte të tjera”, tha Ersida Teliti, pedagoge, Qendra Konsumatori Shqiptar.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se niveli i kredive të këqija të dhëna nga mikrofinanca vitin e shkuar në raport me totali ra në 6.1 për qind nga 7.2 për qind gjatë 2022-shit. Megjithatë treguesi mbeti më i lartë se në vitin 2018.
Po i kujt është faji?
“Nuk marrin të gjithë kohën e duhur për të kuptuar se cila është rëndësia dhe cilat janë pasojat. Kontrata është e tillë, e shkruar me një shkrim shumë minimalist sa që qytetarit i duhet shumë kohë për ta kuptuar. Meqenëse procedurat janë shumë të thjeshtëzuara qytetarët shkojnë në mirëbesim për të arritur qëllimin e tyre.”
15 marsi është cilësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si “Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit”.
Për të ndërgjegjësuar sa qytetarët aq edhe institucionet e kursim–kredisë, Shoqata Konsumatori Shqiptar improvizoi një shfaqe teatrale të një familje shqiptare që përballet me probleme pasi ka marrë kredi. (A2 Televizion)