BB: Shqipëria ka indeks të ulët kapitali njerëzor, grupmosha 18-24 vjeç nuk trajnohet as punësohet

Nga A2 CNN
16 Mars 2024, 10:08 | Ekonomi

Drejtori Rajonal për Zhvillimin Njerëzor në Evropë dhe Azinë Qendrore i Bankës Botërore, Michal Rutkowski në një intervistë në A2 Business me Aurora Sulçen ka folur për kapitalin njerëzor dhe rëndësinë që burimet njerëzore luajnë në rritjen e një biznesi. Ai bëri me dije Shqipëria ka indeks të ulët kapitali njerëzor duke theksuar se grupmosha 18-24 vjeç nuk trajnohet as punësohet. 

-Kohët e fundit sapo përfunduam një studim mbi të ardhmen e punëve në Evropë, dhe gjetja më e madhe e këtij studimi është se mund të përfitosh nga digjitalizimi, progresi teknologjik vetëm nëse ke aftësi të forta bazë. Sa më solide të jenë këto aftësi bazë që përfitohen nga shkolla aq më shumë mund të përfitojnë shqiptarët nga megatrendi i digjitalizimit dhe progresit teknologjik. Unë mendoj se një tjetër megatrend që përbën mundësi për Shqipërinë është edhe integrimi ekonomik dhe globalizimi. Në rastin e Shqipërisë mund të flitet për përfitime që vijnë nga tregtia. Një sfidë tjetër mbetet emigrimi. Shumë të rinj migrojnë jashtë Shqipërisë, dhe nuk ka mjaftueshëm kthime në vend. Edhe dërgesat e parave mund të përdoren më mirë. Pastaj, së fundi, është sfida e ndryshimit të natyrës së punëve dhe nevojës për të ri-trajnuar njerëzit për lloje të reja punësimesh të së ardhmes, duke përfshirë punësimet në investime të gjelbra. Këto janë tre fushat me rëndësi më të madhe.

Çfarë mund të bëjë Banka Botërore për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e zhvillimit të kapitalit njerëzor?

Oh, shpresoj që po bëjmë shumë në këtë drejtim dhe vizita ime këto ditë fokusohet mbi çfarë mund të bëjmë më shumë. Do t’ju jap disa shembuj: ne kemi bërë një punë shumë të mirë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit mbi arsimin e lartë. Po diskutojmë se si të çojmë më tej këtë dialog për ta bërë arsimin e lartë të Shqipërisë një sistem modern, sepse një aspekt i veçantë është niveli i lartë i papunësisë te grup-mosha e të sapodiplomuarve.

Pra, lind nevoja për më shumë përmirësime. Po ashtu po diskutojmë si të zgjerohet arsimin parauniversitar dhe aftësitë bazë. Gjithashtu pjesë e bashkëpunimit tonë është transferimi i njohurive. Pra, kur vjen fjala te ndihma ekonomike, duhet parë edhe si të bëhet riaktivizimi i njerëzve që të marrin pjesë në tregun e punës. Kemi pasur gjithashtu bashkëpunim dhe diskutime të mira me Ministrinë e Shëndetësisë.

Besoj se mund të ndihmojmë në dy mënyra:

-          Në mënyrën se si të transferohen njohuritë

-          Dhe e dyta përmes projekteve tona të financuara nga ne. Shumë njohuri dhe eksperienca të Bankës Botërore vijnë të ndërthurura në projektet që mbështesim.

Pata diskutime shumë të mira për këto çështje në Ministrinë e Financave, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Mbeta shumë i kënaqur kur dëgjova gjatë takimit me Ministrin e Financave që ai mbështet rëndësinë që ka kapitali njerëzor për rritjen e ardhme të Shqipërisë. Kjo më dha siguri në bashkëpunimin e mëtejshëm në këtë drejtim pasi jo çdo ministër finance në botë thotë një gjë të tillë. Dhe unë këtë e vlerësova shumë.

Ju falënderoj për këtë intervistë.

Kënaqësia ishte e imja. Ju faleminderit shumë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos