3.5 miliardë lekë në 2 muaj, për çfarë u siguruan më shumë shqiptarët 

Nga A2 CNN
29 Mars 2024, 16:50 | Ekonomi

Për të siguruar pronat, jetën, shëndetin dhe automjetet, këtë fillimvit shqiptarët paguan më shumë. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për periudhën janar-shkurt 2024 shqiptarët paguan në total 3.5 miliardë lekë sigurime, duke shënuar kështu një rritje me 8.19% krahasuar me të njëjtën periudhë në 2023.

Por tendenca në rritje vjen më së shumti si pasojë e sigurimit të detyrueshëm. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë mbi 57% të totalit të tregut, duke lënë pas sigurimin vullnetar.

Produktet më të rëndësishme të sigurimit vullnetar, ato të lidhura me sigurimin e pronës, shënuan rritje më të lartë se mesatarja e tregut. Kjo i atribuohet më shumë sistemit bankar, i cili nuk miraton kredi pa sigurimin e pronës.

Në përgjithësi tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës të tilla si sigurimi nga aksidentet, mjetet, zjarri dhe forcat e natyrës, të cilat sollën 91.28% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa  sigurimet e Jetës më pak me 8.72% dhe risigurimi 0.003 %. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos