Bizneset dhe institucionet publike nuk po paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit e tyre. Vetëm gjatë vitit të shkuar, detyrimet e tyre ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zgjeruan me 200 milionë lekë. Nga 20,5 miliardë lekë në vitin 2022, gropa e krijuar në skemën e pensioneve nga mospagesa e sigurimeve arriti në 22,5 miliardë lekë fundvitin e shkuar.
Ramadan Kondi, njohës i skemës së pensioneve, u shpreh për A2 CNN: “Po të shikojmë që sot paguajnë sigurimet shoqërore vetëm 38% e popullsisë në moshë pune, ky është një koefiçent shumë i ulët”.
Mospagesat e sigurimeve nga bizneset dhe institucionet publike bënë që Instituti i Sigurimeve Shoqërore të arkëtonte 60 milionë lekë më pak. Nga gati 140 miliardë lekë të planifikuara për të mbledhur gjatë vitit të shkuar, në skemën e pensioneve u futën vetëm 139,3 miliardë lekë.
“Në vitin 2015, kur u reformua skema e pensioneve, vetë institucionet shtetërore bënë një punë të mirë në luftën ndaj fenomeneve negative, përfshirë informalitetin. Kjo ndikoi në shtimin e ndërgjegjësimit dhe rritjen e kontributeve. Por, dalëngadalë gjithçka u zbut dhe ndaj po ndodh kjo situatë”, shtoi Kondi.
Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se politika e rritjes së pagave nga qeveria në thelb të saj ka pikërisht derdhjen e më shumë kontributeve, për të mos lejuar skemën të shkojë në kolaps. Por, zgjerimi i detyrimeve ndaj saj nga bizneset dhe institucionet cenon jo vetëm stabilitetin fiskal aktualisht të sistemit të pensioneve, por po bëhet shkak për një problem më të madh social në të ardhmen. (A2 Televizion)