Për të sjellë një formalizim të sektorit, por dhe kategorizim të saktë të strukturave dhe jo yje të vetëshpallura, qeveria ka parashikuara që edhe për agroturizmin do të ketë një markë të dedikuar.
“CAA”-Certified Albania Agrotourism do të jetë edhe emri që do të identifikojë çdo agroturizëm të rregullt që do të ofrojë shërbimin.
“Vendosja e standardeve minimale të përbashkëta dhe subjektet e mbrojtura dhe të certifikuara të agroturizmit, që janë objekt i kategorizimeve, përbëjnë parakushtin për krijimin e një marke të përbashkët për Agroturizmin Shqiptar të Certifikuar, duke lehtësuar përfshirjen e subjekteve të agroturizmit në tregun e turizmit.” – thuhet në strategji.
Krijimi i një marke në agroturizëm pritet të rrisë besimin te turistët që dëshirojnë të provojnë produktin shqiptar, duke e sjellë atë jo vetëm sezonal, por gjithëvjetor. Nëpërmjet strategjisë synohet që një turist në vend të harxhojë mesatarisht 40 euro në ditë.
Por sipas vet sipërmarrëse në këtë sektor pavarësisht ofertës turistike, vizitorët preferojnë të mos harxhojnë.
“Arsyeja që ne kemi analizuar, është sepse kanë ardhur turistët lowcost. Sepse reklama që i është bërë Shqipërisë është se këtu hahet lirë, hahet me 10 euro/person. Realisht kanë ardhur turistë ku po të shkosh në Sarandë, i gjen më shumë sufllaqeritë të mbushura plot e restorantet shumë pak”, tha sipërmarrësi Flori Uka.
Vet sipërmarrësit në agroturizëm shprehen se ofrojnë një ofertë më pak se ajo çfarë është parashikuar në strategji.
“Çmimet standarde që ne kemi pasur për turistët është 18-20 euro për person. Shumë e cila është disa herë më e lirë se në Europë”
Qeveria ka parashikuar që xhirot në fermat e agroturizmit të rriten në një interval prej 10% deri në 30%. Për t’i ruajtur të dhënat në një databazë pro dhe për të arritur një harmonizim më të mirë të kësaj strategjie me objektivat kombëtare, qeveria parashikon gjithashtu krijimin e Rrjetit të të Dhënave të Kontabilitetit të Fermave( FADN) duke përfshirë këtu edhe të dhënat për agroturizmin. (A2 Televizion)