12 marrëveshje për njohjen e pensioneve, ku dhe si përfitojnë shqiptarët?

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2024, 20:48 | Ekonomi

Në fillim të muajit, Shqipëria finalizoi me Italinë marrëveshjen për njohjen e pensioneve, për të cilën po negociohej prej 15 vitesh. E trumbetuar me bujë nga vendi fqinj, kjo marrëveshje është konsideruar jetike për diasporën shqiptare atje.

Ndërsa njihemi si një vend që ka emigracion shumë të lartë në shumë vende të botës, sa marrëveshje për njohjen e pensioneve ka nënshkruar deri më tani Shqipëria?

Janë finalizuar 12 të tilla, me rëndësi për tu theksuar ato me vendet e Bashkimit Europian, ku ndodhet edhe pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë. Ndërkohë që janë drejt finalizimit katër marrëveshje të tjera, kryesisht me vendet e Ballkanit.

Por ka raste si Greqia, ku ndodhet edhe numri më i madh i emigrantëve shqiptarë, me të cilën ne nuk kemi ende një marrëveshje për pensionet. me këtë shtet, nuk ka ende dritë në fund të tunelit.

Ndërsa po negociohet me Serbinë dhe Poloninë dhe negociatat për marrëveshjet e pensioneve pritet të nisin edhe me Danimarkën; Spanjën; Slloveninë dhe Moldavinë. Kjo pavarësisht se këto shtete kanë një peshë shumë më të vogël përsa i përket numrit të emigrantëve shqiptarë.

Por pse ka rëndësi për një emigrant që jeton në një vend tjetër marrëveshja e njohjes së pensioneve? Çfarë sjell për të?

Marrim shembullin e një qytetari shqiptar që jeton në Itali. Personi A ka 10 vite pune në Shqipëri. Dmth. ka derdhur kontribute për këtë periudhë. më vonë, ai ka emigruar drejt Italisë, ku ka 12 vite pune të deklaruara, për të cilat ka paguar sigurime. Në çastin që arrihet marrëveshja, bëhet i mundur bashkimi i viteve të punës dhe sipas përllogaritjeve, personit A i njihen 22 vite punë. Në Itali, mjaftojnë 20 vite punë për të dalë në pension. Kjo do të thotë se ky qytetar del automatikisht në pension dhe përfiton pension në Shqipëri, për 10 vitet që ka kontribuar dhe pension në Itali për 12 vitet e tjera.

Po si janë shpërndarë emigrantët shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian për të kuptuar rëndësinë e këtyre marrëveshjeve? Të dhënat e fundit janë ato të vitit 2018 nga Instituti Europian i Statistikave. Shqipërisë i mungon një regjistër i diasporës. me fjalë të tjera, nuk e dimë sesa shqiptarë jetojnë jashtë vendit dhe se ku ndodhen ata.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vendet europiane kanë emigruar rreth 1 milionë shqiptare, ku pjesa dërrmuese janë në Itali dhe Greqi.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli