Ekspertët shpjegojnë paradoksin: Pse rritja ekonomike nuk kthehet në mirëqenie për shqiptarët?

Nga Marjo Brakaj
19 Qershor 2024, 15:12 | Ekonomi

Rritja ekonomike e Shqipërisë nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët. Pavarësisht zgjerimit të Prodhimit të Brendshëm Bruto me ritme të kënaqshme, të ardhurat e një shqiptari sot janë sa një e treta e një qytetari në bashkimin Europian.

Të dhënat e Institutit Europian të Statistikave tregojnë se Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor, bashkë me Bosnjë-Hercegovinën për sa i përket mirëqenies së qytetarëve.

“Duhet parë dhe analizuar se nga vjen kjo rritje. Pasi ka sektorë që kur ndodh rritja tek ata, kapitali përqendrohet vetëm te një pjesë e shoqërisë dhe pjesa tjetër mbetet në vendnumëro”, shprehet Eugen Musta, ekspert për ekonominë.

Në tri vite e fundit, ekonomia e vendit është rritur mesatarisht me 5.7 qind, ndërsa hendeku i të ardhurave të shqiptarëve me mesataren e Bashkimit Europian është ngushtuar me vetëm 1 për qind.

“Që Shqipëria t’i afrohet niveleve të BE-së, duhet të ketë një rritje ekonomike mbi 5 për qind, e këto ritme që ne kemi, jemi shumë larg.”

Ndërkohë shqiptarët duhet të presin edhe 70 vite të tjera për të arritur cilësinë e jetesës së popujve europianë. Kjo sipas një studimi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pasi ka analizuar ritmet e rritjes ekonomike, reformat e ndërmarra dhe nivelin e të ardhurave për frymë.

“Ne vetëm sa varfërohemi, jo rritje ekonomike, jo rritje rrogash, po ne nuk ndiejmë asgjë. Me Europën ne jemi ku e ku”, shprehet një qytetar.

Hendeku mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian shtrihet edhe në të tjera drejtime. Nga 3.9 euro që mesatarisht merr një i punësuar në vend, në BE paga mesatare në euro është plot 16.8 euro apo 4.4 herë më e lartë.

Për të ngushtuar sa më shumë hendekun me vendet euiropiane, BERZH rekomandon ndërmarrjen e reformave strukturore, zhvillimin e gjelbër, nxitjen e investimeve dhe frenimin e emigracionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos