Ndryshime te Emergjencat Civile, ngrihet një Sistem kombëtar për fatkeqësitë në varësi të qeverisë

Nga Marjo Brakaj
18 Qershor 2024, 16:50 | Ekonomi

Shumë emergjenca ose fatkeqësi të vogla, në vend që të zgjidhen, ato zmadhohen për shkak të mungesës së koordinimit të institucioneve. Me këto argumente, bashkë me nevojën për t’iu afruar procedurave në Europë, Ministria e Mbrojtjes ka hedhur në konsultim publik projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 45/2019 “për mbrojtjen civile”.

“Nga përvoja e deritanishme është konstatuar vështirësi në koordinimin e kapaciteteve, shkëmbimin, menaxhimin e informacionit, si edhe menaxhimin efektiv të kapaciteteve, për shembull kur kërkohet një helikopter. Për të zgjidhur këtë problem është e domosdoshme të krijohet Sistemi Kombëtar i Menaxhimit të Emergjencave Civile, i cili në vetvete është një përmbledhje e standardizuar e parimeve, procedurave dhe protokolleve të koordinimit, komandimit, menaxhimit të informacionit, menaxhimit të kapaciteteve në rastet e emergjencave”, thuhet nga Ministria e Mbrotjes.

Baza e re ligjore, synimi i së cilës është garantim i mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore vjen edhe si detyrim që Shqipëria ka në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

“Domosdoshmëria e ndryshimeve ligjore, për ligjin nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile” ka lindur si nevojë për të rritur eficiencën dhe konsolidimin e performancës së sistemit kombëtar të mbrojtjes civile dhe të kapaciteteve të mbrojtjes civile në menaxhimin e fatkeqësive si edhe rritjen e performancës së tyre në kuadër të plotësimit të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian”, vijon deklarata.

Sistemi Kombëtar i Menaxhimit të Emergjencave Civile, një strukturë e re në varësi të qeverisë do të ketë më shumë kompetenca edhe në drejtim të menaxhimit të situatave pas fatkeqësive të mundshme natyrore.

“Në situata të jashtëzakonshme, kur nuk ekzistojnë kushtet për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe kur kapacitetet e forcat operacionale nuk janë në gjendje të përballojnë situatat e emergjencave civile dhe krizave, me kërkesë të drejtorit të përgjithshëm të AKMC-së, KMC-ja autorizon Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile që të përdorë burime financiare për përballimin e situatës së jashtëzakonshme, përjashtimisht nga sa parashikohet në ligjin nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, thuhet në njoftim.

Në projektligj, shteti shqiptar ndërkohë heq nga vetja detyrimin për t’u përgjigjur për dëme të shkaktuara nga fatkeqësitë, me argumentin se ky detyrim sjell një barrë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe dekurajon sigurimin e pronave nga qytetarët. Për këtë arsye është janë bërë ndryshime në nenin 42 të ligjit ekzistues, dhe është përdorur termi “ndihmë financiare shtetërore”, çka ridimensionon përfshirjen e shtetit në lehtësimin e pasojave të fatkeqësive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos