Inteligjenca artificiale në ndihmë të turistëve, Rama: Gati aeroporti i Vlorës dhe projektet më të rëndësishme rrugore

Nga Marinela Lina
12 Qershor 2024, 15:23 | Ekonomi

Në ndihmë të të huajve që do të zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë jo vetëm për turizëm veror por dhe kulturor apo dimëror, do të vihet në dispozicion edhe inteligjenca artificiale. Nga prezantimi i Kalendarit Kombëtar Turistik të ngjarjeve kulturore kryeministri Rama u ndal te rëndësia e projekteve që do i vijnë në ndihmë sektorit të turizmit.

“Me versionin e ri të aplikacionit një inovacion do të shtohet në fushën e turizmit dhe do të pasurohet më tutje dhe me gjenerator të inteligjencës artificiale që të bëjnë personalizimin e planeve të udhëtimit. Dhe të kenë harta 3 dimensionale”, theksoi kryeministri.

Kryeministri foli edhe për projektet infrastrukturore që do i shërbejnë edhe më tej turizmit në Shqipëri. Teksa njoftoi se pas ecurisë së mirë të aksit Thumanë-Kashar, do të hapet gara edhe për segmentin Milot-Balldren.

“Jeni të informuar që kemi një sezon që hapen me disa vepra të mëdha që i vihen në dispozicion udhëtarëve. Duke filluar nga tuneli i Llogarasë, i cili këtë sezon do të jetë i kalueshëm duke vazhduar me rrugën Orikum-Dukat”, deklaroi Rama.

Duke vazhduar me aksin Thumanë-Kashar një aks jashtëzakonisht i rëndësishëm për faktin se prurja e lartë e automjeteve nga veriu drejt Tiranës apo për më tutje, bëhet e papërballueshme. Ky aks është pjesë e korridorit blu. Me aksin përfundon një nga segmentet e tij, por në vijim vijon puna dhe për segmente të tjera. Si edhe segmenti Thumanë –Milot, për të hapur garën për Milot-Balldre, pastaj Balldre-Muriqan për të bërë lidhje me Malin e Zi.” 

Ndërkohë kryeministri njoftoi se ka filluar puna për Portin Turistik të Durrësit dhe të Vlorës, teksa ky i fundit do të përfundojë punimet brenda këtij viti. Ndërsa pritet të hapet gara  edhe për aeroportin e Gjirokastrës. Pjesë e prezantimit të kalendarit turistik, ministrja e Turizmit, por dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë vlerësuan se sektori i turizmit me këtë ecuri do të japë një impakt më të mirë në ekonominë e vendit.

“Të ardhurat nga turizmi janë në nivelin e 20% të PBB duke e shndërruar Shqipërinë në një prej destinacioneve më të preferuara të turizmit në rajon si Greqia apo Kroacia. Ka sjellë përmirësim të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe ka përmirësuar renditjen e rrezikut të borxhit sovran, në një shkallë më lart nga Standard & Poors”, u shpreh guvernatori Gent Sejko.

“3.3 milionë turistë kemi pritur në këto muajt e parë të viti, ose 40 për qind, këtë shifër e aprovon edhe tregu privat operatorët turistikë, po ashtu bankat nga flukset monetare që hyjnë dhe dalin nga turizmi. TEA vjen me një prakticitet më të lehtë sepse vitin e kaluar na tregoi për ca kanë nevojë turistët, duke i dhënë mundësinë me një klik të vetëm të gjejnë ku mund të hanë, ku mund të gjejnë muze dhe shumë shërbime të tjera”, deklaroi ministrja Kumbaro.

Kalendarit Turistik “Tea” sipas përfaqësuesve të qeverisë pritet t’u vijë në ndihmë më shumë se 14 milionë turistëve në këtë vit.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni