“Lehtësime edhe për ata pa ligjin 7501”, Rama: Kredi për bujtinat në male, barrën kryesore e mbanë shteti

Nga Marinela Lina
8 Qershor 2024, 13:11 | Ekonomi

Për një turizëm gjithëvjetor, qeveria po premton paketa lehtësuese edhe për bizneset që operojnë kryesisht në veri të Shqipërisë por dhe në malësinë e jugut. Kryeministri Rama bëri të ditur se një mbështetje financiare në formën e kredive do të jepet nga bankat për ngritjen e bujtinave ku ndihmën më të madhe do ta japë shteti.

“Një program “paketa e maleve” apo fletorja e maleve, nuk e di si do ta quajmë. Jemi duke shkuar drejt finalizimit dhe do të bëjmë mbështetje për rrjetin e bujtinave nëpër male. Jemi duke folur dhe po e mbarojmë me bankat. Në mënyrë që bankat të na mundësojnë kredi ku barrën kryesore ta ketë shteti. Të bëjmë diçka të mirë, se kemi marrë çdo dy ditë emigrantë që duhen të kthehemi”, tha Rama.

Në një “podcast” të zhvilluar me sipërmarrës të bujtinave, kryeministri u ndal edhe te legalizimi i tokave, një problem i hershëm për banorët e këtyre zonave malore.

“Ne këtë pjesën e letrave që në shumë zona që nuk është bërë ndarja e 7501 do ta lehtësojmë komplet”, tha Rama.

Për të nxitur edhe më tej zhvillimin ekonomik të Shqipërisë kryesisht në sektorin e turizmit, qeveria ka premtuar paketa lehtësuese edhe për emigrantët që kthehen në vend për të investuar.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024