Shqipëria po kërkon partnerë të rinj ekonomikë, ndërsa Arabia Saudite territore për të investuar. Përfaqësues nga dy shtete me diferencë të madhe gjeografike, por me vizion të përbashkët atë “2030” u takuan në Tiranë për të gjetur ura lidhëse bashkëpunimi.
“Shqipëria ka bërë një sërë hapash para në drejtim të përmirësimit të klimës së të bërit biznes për të tërhequr investitorët e huaj. Gjithashtu vendi ynë ka mjaft potenciale për të investuar në turizëm, energjinë e pastër dhe në infrastrukturë”, u shpreh ministri Gonxhja.
Ftesa e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u mirëprit nga kryetari i Federatës së Dhomave Saudite.
“Ne kemi firmosur një sërë marrëveshjesh në fushën e infrastrukturës, drejtësisë apo tregtisë. Kemi arritur dakordësi edhe për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe luftën ndaj evazionit. Kemi 4-fishuar shkëmbimet tregtare me Shqipërinë vitet e fundit”, tha Hasan Mujeb Al-huëaizi, Kryetar i Federatës së Dhomave Saudite.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga pak më shumë se 11 milionë euro importe dhe eksporte në 2018-n, shkëmbimet tregtare vitin e shkuar kapën vlerën e 44.5 milionë eurove.
Në këtë total, 40 milionë euro ishin importe, ndërsa kompanitë shqiptare shitën produkte në vlerën e vetëm 4.5 milionë eurove.
“Kemi të gjithë potencialin për të zhvilluar bashkëpunimin ekonomik dhe për të intensifikuar shkëmbimet tregtare”, u shpreh Ines Muçostepa.
Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj iu tregoi 50 sipërmarrësve nga Arabia Saudite edhe një sektor ku sipas saj ka shumë potencial për investim.
“Janë bimët medicinale që kanë shumë interes nga e gjithë bota. Një sektor ky që ka pasur rritje të ndjeshme", deklaroi Denaj.
Aktualisht në Shqipëri operojnë me aktivitetet e tyre 55 kompani nga Arabia Saudite, ndërsa synimet është që ky numër të dyfishohet në dy vitet e ardhshme. (A2 Televizion)