Shtet digjital, por jo për zonat rurale! KLSH: Kosto dhe cënim të të dhënave të qytetarëve që marrin shërbime nga të tretët

Nga Marinela Lina
4 Mars 2024, 15:12 | Ekonomi

Shteti digjital i cilësuar nga qeveria, duket se ka gjetur zbatim në qendrat e qyteteve por ka lënë në harresë periferitë.

“Masat e marra nga institucionet përgjegjëse nuk kanë qenë të mjaftueshme për të përmirësuar performancën e ofrimit të shërbimeve online për qytetarët”.

Këto janë disa nga konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në një auditim të kryer për performancën e shërbimeve online të institucioneve publike. Është mungesa e infrastrukturës digjitale në zonat e largëta, por edhe e njohurive për kategori të caktuara çka e ka bërë këtë proces jo të implementuar tërësisht siç duhet.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi evidenton një sërë rastesh diskriminimi vitet e fundit të raportuara pranë këtij institucioni në formën e ankesave.

"Gjëja që kemi kërkuar më shumë nga ana e autoriteteve publike është që të ketë persona të dedikuar të ndihmojnë këto kategori që të aksesojnë shërbimet. Në ankesat që kemi pasur disa institucione e ofrojnë por kemi parë dhe raste që nuk ka patur një shërbim duke u klasifikuar një diskriminim”, tha Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Shpesh mungesa e njohurive është përkthyer në kosto të fshehura, pasi qytetarët për të aksesuar shërbimet online, paguajnë persona të tretë ose zyra noteriale për të marrë shërbimet.

“Dimë që ka shumë shërbime që ofrohen nga qytetarë të ndryshëm duke i kthyer në shërbime me pagesë duke krijuar paradoskin që këto shërbime ishin të eleminonin korrupsionin”, deklaroi Gajda.

Mirëpo, ofrimi i asistencës nga subjekte të palicensuara evidentohet si një rrezik për të dhënat sensitive. Drejtimi tek zyrat e ndryshme private apo kancelarive më të afërta konsiderohet si një problem madhor nga KLSH, pasi rrezikohen të dhënat personale të qytetarëve.

“Ky fenomen paraqet risk për abuzime me të dhënat e qytetarëve nga persona të tretë jo familjarë që asistojnë në procesin e marrjes së shërbimeve elektronike”, shto ai.

 “Duhet patur kujdes me të dhënat personale, ndaj nuk është mirë që të bëhen në subjekte të palicensuara të ofrojnë shërbimin se mund edhe të abuzohet me të dhënat e qytetarëve.”

KLSH i rekomandon Institucioneve publike në auditimin e tij monitorimin por dhe hartimin e raporteve vjetore të  përdorimit të shërbimeve online dhe ndjekjen e rezultateve me qëllim përmirësimin e nevojave të qytetarëve.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli