Për të çliruar potencialin e bujqësisë, Shqipëria duhet të zgjidhë problemin e regjistrimit të pronave, të përmirësojë infrastrukturën e ujitjes e kullimit dhe të mbështesë financiarisht fermerët.
Është kjo formula që Banka Botërore propozon për qeverinë, teksa vë në dukje se Shqipëria ka mbetur pas fqinjëve të Rajonit në drejtim të eksporteve bujqësore.
“Ka vitet që flitet që bujqësia është prioritet, por ajo që realisht është bërë nuk përputhet aspak me këtë objektiv”, tha Maksim Meço, ekonomist agrar.
Bujqësia ka nevojë për një model të ri....zhvillimi i sektorit me të cilin punon e jeton mbi 40 për qind e popullsisë duhet të mundësojë tejkalimin e tradicionales së prapambetur, për të shkuar te e avancuara e frytshme vlerëson Banka Botërore.
“Bujqësia ka dy avantazhe krahasuese, pozicionin gjeografik dhe zhvillimin teknologjik. Të parin e kemi dhuratë për shkak të pozicionimit Mesdhetar. Te teknologjia jemi shumë pas.”
Dhe për të formësuar këtë model lind nevoja e një marrëveshje mes institucioneve dhe atyre që janë të gatshëm të hedhin para’, ku si garantore duhet të shërbejë qeveria.
Për ekspertin e sektorin bujqësor, Maksim Meço, ka ardhur koha që fermeri të shihet përtej kontributit të tij në prodhimin bujqësor. Ai duhet të vlerësohet si garanci në zhvillimin e përgjithshëm rural të vendit, duke iu përafruar kështu modelit që po ndiqet në vendet europiane. (A2 Televizion)