Gara e investimeve të huaja, ku është Shqipëria krahasuar me vendet e rajonit?

Nga A2 CNN
1 Mars 2024, 21:32 | Ekonomi

Bashkimi Europian po jep sinjale të qarta për vendet e Ballkanit Perëndimor, se integrimi duhet të jetë para së gjithash, ekonomik. Në samitin e zhvilluar në Tiranë, u prezantua Plani i rritjes, ku me këtë rast iu shtua ritmi garës për tërheqjen e investimeve në rajon. Po ku jemi ne, në këtë garë që për hir të së vërtetës, ka vite që ka nisur?

Fluksi i investimeve të huaja ka pësuar rritje të vazhdueshme vitet e fundit, duke arritur në mbi 1.3 miliardë euro në vitin 2022, që është edhe e dhëna e fundit vjetore. Ndërsa për 9 mujorin e 2023-it, ky tregues i kapërceu 1 miliardë euro, duke lënë të kuptohet se do të ruhet pak a shumë e njëjta vlerë si e 2022-it. Por si paraqitemi ne krahasuar me vendet e rajonit?

Shqipëria renditet e dyta në rajon me rreth 1.4 miliardë euro. Vendi që është më atraktiv në rajon për investimet e huaja është Serbia me 4.6 miliardë euro, ose gati trefish më shumë se Shqipëria. Vendet e tjera të rajonit, pozicionohen shumë më poshtë përsa i përket fluksit.

Por sa të rëndësishme janë investimet e huaja për ekonomitë respektive të vendeve të Ballkanit? Varësinë më të madhe e ka Mali i zi, ku investimet e huaja përbëjnë 14.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shqipëria renditet në vendin e tretë, me 7.6% të PBB-së.

Por cilët janë sektorët ku janë përqendruar pjesa më e madhe e investimeve të huaja në Shqipëri?

Sipas të dhënave, elektroenergjetika ka marrë 25% të totalit të investimeve të huaja, pasuar nga industria nxjerrëse me 16%; shërbimet financiare dhe të sigurimit; pasuritë e paluajtshme e me radhë sektorët e tjerë.

Shoqata e Investitorëve të Huaj ka evidentuar në anketën e fundit situatën në Shqipëri dhe si e shohin tregun dhe klimën e biznesit kompanitë ndërkombëtare.

Rezulton se problemet kryesore të investitorëve të huaj janë sistemi gjyqësor; mungesa e transparencës nga qeveria; mungesa e fuqisë punëtore; legjislacioni fiskal dhe administrata tatimore.

 

A2 CNN Livestream

Dita jonë