Turizmi dhe ndërtimi bashkë me shitblerjen e pronave nuk mjaftojnë! Shqipëria duhet të tejkalojë veten, të paktën në një drejtim... atë të modelit ekonomik. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se së paku deri në 2029-n, rritja nuk do e kalojë nivelin 3.5 për qind.
“Tashmë kërkohet ajo që njihet si “rritje ekonomike cilësore”. Rritje ekonomike cilësore do të thotë që kontributi në rritjen ekonomike të vijë nga sektorë me performancë të lartë siç janë sektorët industrialë me teknologji moderne, ato financiare bankare, industria etj”, tha Adrian Civici, ekspert për ekonominë.
Me vendin që për shkak të politikave të ndjekura rrezikon të ndërtojë mbi kokën e vetë një tavan që nuk e lejon të rritet më shumë, ka shumë pak vend për optimizëm për më shumë mirëqenie.
“Shqipëria, bashkë me vendet e tjera në zhvillim duhet që të ketë rritje ekonomike në të paktën 5.8 për qind për të dhënë impuls te pagat dhe standardi i jetesës”, shtoi Civici.
Më optimiste janë pritshmëritë në drejtim të çmimeve. Pas gati 3 vitesh krizë, inflacioni sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar do të qëndrojë brenda objektivave të dëshiruar në 5 vitet e ardhshme. Po edhe ky skenar rrezikohet nga zhvillimet që po ndodhin në botë.
“Një përshkallëzim i konfliktit në Lindjen e Mesme do të përsëriste atë që ndodhi pas konfliktit të armatosur Rusi-Ukrainë. Destabilizim tregjesh dhe rikthim të valëve të inflacionit në gjithë botën, përfshirë Shqipërinë”, përfundoi eksperti.
Në raportin e pranverës ku analizohen ekonomitë e veçanërisht vendeve në zhvillim, FMN pret që rritja ekonomike globale të jetë e qëndrueshme, por e ngadaltë. Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria pritet të ketë ecuri më të mirë ekonomike vetëm se Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut. (A2 Televizion)