Veshje “Made in Albania”, kërkohet që fasoneritë të transformohen në “shtëpi mode”

Nga Marjo Brakaj
9 Maj 2024, 17:39 | Ekonomi

“Dëshira ime është të hapë një atelie dhe pse jo të kem një “brand” timin. Elvina mendon se ka ardhur koha që fasoni të tejkalojë veten... të kthehet në “shtëpi mode”.

“Unë mendoj se industria e veshjeve ka përparuar shumë. Por gjithsesi mendoj se duhet shkuar në një tjetër nivel tani. Ne të rinjtë kemi dëshirën dhe talentin për ta bërë këtë”, tha Elvina Leci, nxënëse në shkollën Teknike Ekonomike.

Me sloganin “Moda është e përjetshme”, të kultivuar që në moshë të hershme edhe për Emanuelën ka ardhur koha e veshjeve “Made in Albania”.

“Të veshurit me stil më ka pëlqyer që e vogël “Fashion” është dëshira ime ndaj jam futur në shkollën Teknike Ekonomike”, thotë Emanuela Bruçi, nxënëse në shkollën Teknike Ekonomike.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se vetëm vitin e shkuar u importuan nga jashtë rroba me vlerë mbi 69 miliardë lekë.

Për stilisten e re ky është tregues se shqiptarët duan të vishen mirë dhe industria e modës vendase mund të ofrojë shumë mundësi punësimi.

“Ka shumë treg, që nga industria fasone e deri te bizneset më moderne që kërkojnë punonjës. Mundësitë janë të shumta për punësim. Madje tregu lejon të hapësh edhe diçka tënden”, thotë Emanuela.

Nevojën e transformimit të manifakturës e pranojnë edhe përfaqësues të institucioneve. “Vrapi me pengesa” i fasonit mund të marrë fund vetëm me ndryshime në drejtim të kualifikimit të burimeve njerëzore dhe teknologjisë.

“Ka nevojë për ndryshim mendësie. Duhet të ndryshojë infrastruktura teknologjike, por edhe kurrikulat e përgatitjes së të rinjve. Nuk na duhen vetëm fasonistë, por edhe stilistë”, shprehet Etleva Gjelaj, Drejtore e Departamentit të Menaxhimit të Arsimit AKPA.

Aktualisht në vend janë rreth 400 vajza të regjistrua në shkolla apo që ndjekin kurse të përgatitjes në industrinë e veshjeve. Deri në vitin 2026 ky numër pritet në arrijë në mbi 600.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli