Afera CEZ-Dia, Nasip Naço pyetet në SPAK si ish-ministër i Energjetikës

Nga Julian Kasapi
19 Mars 2024, 15:28 | Kronikë

Për 1 orë e 30 minuta, Nasip Naço, ish-ministër i Ekonomisë Industrisë dhe Energjetikës përgjatë viteve 2011-2012, dha deklarime në Prokurorinë e Posaçme për aferën CEZ-Dia.

Në dalje, vetë ai e konfirmoi diçka të tillë, ndërsa zbuloi edhe qëndrimin që mbajti para Prokurorëve. Naço tha se gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e ministrit ka miratuar ligje në interesin publik, siç ishte ligji për energjinë elektrike, duke thënë se i ka kursyer buxhetit të shtetit 40 mln euro.

Naço kujtoi edhe kohen kur ishte ministër Drejtësie. Ai tha se i beson sistemit, por tha se institucione si SPAK ndoshta duhet te kolaudojnë shënjestrën e tyre.

SPAK ka rihapur në vitin2019, çështjen CEZ-DIA, pas një denoncimi të juristit të Operatorit të Shpërndarjes, Romeo Kara. Në SPAK është thirrur dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA.

Në vitin 2013, kur u bë dhe prishja e kontratës, rezultoi se Cez-DIA i kishte shkaktuar shtetit një dëm prej 414 mln eurosh, ndërsa vetë kompania nuk kishte bërë asnjë prokurim për importin e energjisë elektrike.

Për dosjen u dënua vetëm biznesmeni Kastriot Ismailaj. Gjatë kohës kur ishte nën hetim nga Prokuroria, biznesmeni u akuzua së në pak muaj 9 kompani private përfituan nga CEZ 12 milionë dollarë nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara të energjisë. Pjesën më të madhe të fondeve e mori “Debt International Management”, me administrator Kastriot Ismailaj, gati 6.5 milionë dollarë.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos