Ilir Beqaj, i pandehur. Ish-ministri i Shëndetësisë, “shpërdorim detyre në bashkëpunim”

Nga Julian Kasapi
18 Mars 2024, 17:19 | Kronikë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është zyrtarisht i pandehur për dosjen e sterilizimit. Akuza e shpërdorimit të detyrës iu komunikua këtë të hënë, kur u paraqit në Prokurorinë e Posaçme. Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë, ish-ministri hodhi akuza ndaj prokurorisë, e cila, sipas tij, nuk ka bërë siç duhet hetimin.

Ai mbrojti koncesionin e sterilizimit, duke thënë se 445 mijë shqiptarë janë operuar në kushte të sigurta, ndërsa tha se të vërtetën e tij do e ballafaqojë në Gjykatën e Posaçme. Ai u shpreh se Prokuroria e Posaçme duhet të kishte hetuar se përse nga periudha prill 2010 deri në shtator 2013 nuk ishte vendosur në punë centrali i sterilizimit kur ISHP kërkonte mbylljen e sallave të kirurgjisë në QSUT.

Beqaj do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të vitit të kaluar. Zv/ministri akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa biznesmeni për mashtrim.

Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit. SPAK ka dyshime për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj. Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit, të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdoruar detyrën, ndërkohë që, sipas akuzës, Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos