Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është zyrtarisht i pandehur për dosjen e sterilizimit. Akuza e shpërdorimit të detyrës iu komunikua këtë të hënë kur u paraqit në Prokurorinë e Posaçme. Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë, ish-ministri hodhi akuza ndaj prokurorisë e cila sipas tij nuk ka bërë siç duhet hetimin.
“SPAK duhet ta kishte filluar vlerësimin e punës sime me përmbushjen e detyrimeve të Kushtetutës he të ligjit të kujdesit shëndetësor sepse garantimin e kujdesit shëndetësor të barabartë për të gjithë shqiptarët, nga veriu në jug unë e kam pasur edhe detyrim, edhe mision”, tha Beqaj pas daljes nga gjykata.
Ai mbrojti koncesionin e sterilizimit duke thënë se 445 mijë shqiptarë janë operuar në kushte të sigurta ndërsa tha se të vërtetën e tij do e ballafaqojë në Gjykatën e Posaçme. “Prokuroria, në 50 muaj, nuk ia doli të hetojë dy elemente kryesorë që ka një proces sterilizimi, uljen e ditëqëndrimit të pacientëve në spital dhe uljen e ditëve të përdorimit të antibiotikëve në spital. Nëse do të kishin bërë këtë vlerësim, që ne do t’i kërkojmë të bëhet, atëherë konvertimi i këtyre kursimeve në para do ta nxjerrë me të vërtetë një proces në përfitim për financat publike dhe xhepat e qytetarëve”, tha Beqaj.
“Të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë ku besoj se do të dalë e vërteta e përfitimeve që kanë pasur të gjithë shqiptarët nga ky proces sterilizimi”.
Ai u shpreh se Prokuroria e Posaçme duhet të kishte hetuar se përse nga periudha prill 2010 deri në shtator 2013 nuk ishte vendosur ne pune centrali i sterilizimit kur ISHP kërkonte mbylljen e sallave te kirurgjisë në QSUT.
Beqaj do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të vitit të kaluar. Zv.ministri akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa biznesmeni për mashtrim.
Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit. SPAK ka dyshime për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat10-vjeçar të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj. Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdoruar detyrën ndërkohë që sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin. (A2 Televizion)