Një aksident i rëndë u regjistrua, mbrëmjen e djeshme, në Kthesat e Dragostunjës në Librazhd, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe si pasojë, ka mbetur i vdekur një person, ndërsa tre të tjerë janë plagosur.
Mësohet se drejtues i mjetit ka qenë Meglind Zeneli, 21 vjeç, ndërsa pasagjer kanë qenë Gerald Verçani, 19 vjeç, Janikos Shyti, 20 vjeç dhe Dorian Belba, 18-vjeç, i cili ka ndërruar jetë.
Paraprakisht, dyshohet se mjeti ka qenë duke qarkulluar me shpejtësi tej normave dhe ka humbur kontrollin në një kthesë. Pasi ka dalë jashtë rrugës automobilistike, ka rënë nga lartësia duke u rrokullisur dhe përfunduar në trasenë e linjës hekurudhore.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Informacion paraprak-Në aksin rrugor “Librazhd-Përrenjas”, automjeti që drejtohej nga shtetasi M. Z., 21 vjeç, ka dalë nga rruga. Për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje pasagjeri që udhëtonte në këtë automjet shtetasi D. B., 18 vjeç, si edhe kanë mbetur të dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 2 pasagjerë të tjerë, të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital për momentin jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të aksidentit. (A2 Televizion)