Mihal Delijorgi, ish-administrator i Alba Demil, shoqërisë që demontoi municionet në Gërdec refuzoi të dëshmojë në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në Gjykatën e Posaçme.
Biznesmeni Delijorgji u thirr për t'u pyetur si i bashkëpandehur në një procedim të lidhur, pasi është një nga ish-të pandehurit e shpallur fajtor në procesin e parë të dosjes “Gërdeci”. Ndonëse u paraqit në gjyq, ai nuk iu përgjigj pyetjeve të palëve, duke shfrytëzuar të drejtën ligjorë për të mos dëshmuar.
Teksa u largua nga gjykata, biznesmeni u pa të shoqërohej nga Dritan Minxolli, ish-drejtori i fabrikës së Gërdecit, që në seancën e 6 marsit po ashtu refuzoi të dëshmojë. Në diskutimin për dëshmitarët e mbetur, debat në sallë ngjalli mënyra e marrjes së dëshmisë të 5 shtetasve amerikanë. Vendimi i gjykatës për t’i pyetur përmes letër-porosivë nga Shqipëria në SHBA, pyetje me shkrim, që marrin përgjigje po me shkrim, ngjalli kundërshti nga avokatët e Mediut, por edhe të familjarëve të viktimave, të cilën kërkuan pyetje përmes video-konferencës.
“Sepse besoj është gjëja më e drejtë. Të pyetet dhe përmes pyetjeve të dali e vërteta dhe të pyeten prapë. Me letërporosi është një akt formal. Besoj se kjo është rruga me e drejtë. E kërkuam edhe ne dhe të afërmit e viktimave. Nuk e kuptoj pse nuk duhet bërë, kur vetë drejtësia amerikanë ka ofruar mundësinë për t’u pyetur përmes video-konferencës”, tha Mediu.
Për seancën e radhës ndaj ish-ministrit të akuzuar për “shpërdorim të detyrës”, gjykata urdhëroi shoqërim të detyrueshëm për dëshmitarin Denis Hajdari dhe vijimin e kërkimit për njoftimin e dëshmitarëve Anjola Agolli e Luan Hoxha. (A2 Televizion)