“Dosja” Gërdeci, ish-ministri Mediu pranon të pyetet në gjyq, por me një kusht

Nga Armand Bajrami
13 Mars 2024, 15:37 | Kronikë



Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i pandehur në dosjen “Gërdeci”, shprehu gatishmëri për t’u pyetur në sallën e gjyqit nga prokurorët e SPAK, por sipas tij, në shërbim të së vërtetës, jo për formalitet.

Me këtë arsyetim ish-ministri kërkoi që pyetja e tij të bëhej pasi të jetë dëgjuar çdo dëshmitar e të jetë debatuar çdo provë e këtij gjykimi.

“E kam theksuar që 17 vjet nuk jam pyetur. SPAK kishte kohë 2 vjet, jo vetëm të më pyeste, por edhe të korrigjonte veprimet e paligjshme që kishte bërë prokuroria e mëparshme dhe nuk e bëri. Mendoj se është në shërbim të vërtetës, që unë të pyetem në fund të procesit, ku e kanë kërkuar edhe avokatët e mi, ku kanë të drejtë të pyesin edhe prokurorët, edhe gjykata, kanë të drejtë edhe familjarët. Pse në fund? Sepse është mirë që gjithësecili të dijë të gjithë rrethanat e faktet e dëshmive, por njëkohësisht edhe argumentet shkresore.”

Ish-ministri i akuzuar për “shpërdorim të detyrës” tha se gjatë funksionit të tij kishte zbatuar ligjin si ndaj strukturave civile e atyre ushtarake dhe se nuk kishte bërë politikë me çështjen “Gërdeci”.

“Në këto 17 vite është bërë një histori mediatike duke luajtur me ndjenjat e familjarëve të cilët kanë humbur të afërmit e tyre dhe për ta mbajtur gjallë në çdo fushatë elektorale me interesa politike.”

Gjatë seancës së të mërkurës, palët debatuan edhe mbi mënyrën se si do të pyeten si dëshmitarë 5 shtetas amerikanë, përfaqësues të kompanisë SAC, të përfshirë në demontimin e municioneve në Gërdec.

Prokurorët kërkuan pyetje përmes letër-porosive, çka u kundërshtua me forcë nga avokatët, të cilët kërkuan pyetje përmes video-konferencës, si e vetmja formë, mes të cilën mund të ezaurohen të gjitha pyetjet karshi dëshmitarëve.

Seanca e radhës e procesit ndaj ish-ministrit Mediu u shty për më 27 mars.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos