Është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe 28-vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim kompjuterik. Bruno Çobo akuzohet nga SPAK-u, si pjesëtar i një grupi të strukturuar që kryente veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet një call center-i.
Grupi kriminal në të cilën ai bënte pjesë, dyshohet se ka përfituar rreth 4 700 000 euro, nga skema e mashtrimit.
Ai është lokalizuar në Abu Dhabi, pas shkëmbimit të informacioneve mes Drejtorisë së Interpolit, Departamentit të Policisë Kriminale dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe.
28-vjeçari ka bërë kërkesë për t’u kthyer me dëshirë dhe ditën e sotme është bërë deportimi i tij në Shqipëri.
Çobo akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale ''Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, ''Grupi i strukturuar kriminal'' dhe ''Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”. (A2 Televizion)