Mënyra e pyetjes së 5 dëshmitarëve amerikanë në procesin ndaj ish-ministrit, Fatmir Mediu, në Gjykatën e Posaçme përplasi prokurorët e SPAK me avokatët e të pandehurit. Prokurorët e SPAK kërkuan që pyetja të bëhej përmes letër-porosive, pasi sipas tyre pyetja përmes videokonferencës ishte e vështirë, për arsye teknike, por edhe për shkak të diferencës orare mes dy vendeve.
Ndërsa avokatët e Mediut, por edhe avokati i familjarëve të viktimave, kërkuan pyetje përmes videokonferencës. Sipas avokatëve, vetëm në këtë mënyrë pyetja e dëshmitarëve do të ishte shteruese.
Dëshmitari i vetëm i paraqitur në seancë, si i bashkëpandehur në një procedim të lidhur, ishte Dashnor Çaushi, i fajësuar në gjyqin e parë të dosjes "Gërdeci". Ish-anëtari i komisionit të kategorizimit të municioneve nuk dha pëlqim të jepte dëshmi. Ndërsa në një dëshmi të dhënë gjatë hetimit në vitin 2008, që u administrua nga gjykata, Çaushi ishte shprehur:
“Më ka marrë në telefon edhe ministri i Mbrojtjes për të më pyetur çfarë ka ndodhur me urdhrin për kalimin e municioneve ndërmarrjes Meico". (A2 Televizion)