Atentati me 80 plumba ndaj policit e kunatit të tij në Shkodër, zbardhet dëshmia, çfarë kapën kamerat?

Nga Ergys Kavaja
13 Mars 2024, 08:53 | Kronikë

Atentati me 80 plumba ndaj policit e kunatit të tij në Shkodër,

Qyteti i Shkodrës u trondit, mbrëmjen e djeshme, nga një atentat, ku për pasojë mbetën të plagosur dy persona, kunetër mes tyre. Dyshohet se shënjestra ka qenë shtetasi Gjon Nika, kunati i efektivit të policisë. Nuk dihen ende motivet e kësaj ngjarje të rëndë.

Autorët dyshohet se kanë djegur dy automjete, të tyrin dhe të të plagosurve. Ndërkohë, A2 CNN ka arritur të sigurojë dëshmitë e dy të plagosurve nga ky atentat.

“Sapo zbritëm nga makina dëgjuam të shtëna armësh. Nuk kemi arritur që të shohim se kush ishin ata që na qëlluan me armë. Nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan. Në momentin kur nisën të shtënat kemi lëvizur me shpejtësi duke u munduar të shpëtojmë. Derisa janë larguar qëndruam pas makinës.”, thanë të plagosurit përpara hetuesve.

Policia ka shoqëruar 20 persona deri më tani, të cilët dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Grupi hetimor, ka gjetur në vendin e ngjarjes 80 gëzhoja automatiku, të cilat janë përdorur nga autorët.

Sipas dëshmive të siguruara nga A2 CNN, mësohet se kanë qenë 4 autorë, 3 nga të cilët kanë qëlluar në drejtim të të rinjve. Armët e autorëve janë gjetur në makinën e djegur, e cila është transportuar në policinë e Shkodrës për ekspertim më të specializuar.

Nga kamerat e sigurisë së lokalit në afërsi të të cilit ndodhi ngjarja nuk kanë arritur të shihen autorët, ndërkohë që dyshohet se autorët kanë qenë të maskuar.

Dy të plagosurit kanë marrë nga një plumb në trup, duke arritur t’i shpëtojnë mrekullisht morisë së plumbave dhe aktualisht ndodhen në spital. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos