Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin, këtë të martë, duke e dënuar me 2 vite burg Fredi Belerin për korrupsion zgjedhor.
Në një deklaratë për mediat pas vendimit, avokati i tij Geni Xhyzari e cilësoi këtë një dënim politik me porosi të kryeministrit Rama.
“Ju e dëgjuat deklaratën e zotit Beleri dhe keni të gjithë diskutimin e tij. Nëse shikoni një moment sulm të zotit Beleri si e artikuloi kryetari i seancës që bëri gafën e radhës në fillim, ndërpreu diskutimin e zotit Beleri për të transmetuar tensionin që kishte jashtë këtij procesi dhe tensioni i tij nuk na la të dyshonim që do e dënonin me 2 vjet. E padëgjuar të ndërpritet fjala e të pandehurit. Ky është vendim dhe dënim politik siç e porositi kryeministri, ashtu veproi dhe kjo gjykatë”.
Ai theksoi se “prezumimi i pafajësisë e sjell prokuroria që siç e patë nuk solli asnjë provë. 4 ditë është ndjekur nga polica, është skandali më i madh, por prokuroria ra nën presionin e policisë. Do ta ankimojmë vendimin”.
Në seancën e fundit, para se gjykata të tërhiqej për vendimin, Beleri u kërkoi drejtësi, duke thënë se nuk e gjente veten fajtor për asnjë akuzë. “E kuptoj shumë mirë që jeni nën presion të vazhdueshëm, por ky nuk është faji im. Është çështja e bashkisë Himarë, që nuk duan ta zgjedhin me votë, por me sajesa. Konkluzionet e SPAK nuk mund t'i merrni parasysh”, tha ai.
Më tej, Beleri ka theksuar se Prokuroria ka sajuar prova, për të fshehur gabimet e policisë. “Nga vëzhgimi 24 orësh që më është bërë, ka rezultuar se nuk jam takuar asnjëherë me dëshmitarin e prokurorisë. Të gjitha të vërtetat do të dalin në dritë. Keni shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë, të procesit të rregullt ligjor dhe të barazisë para ligjit. Vendimi për dënimin tim është marrë në drejtorinë e policisë, ku është bërë plan për arrestimin tim, por plani u prish nga votuesit e Himarës. Vendim politik ishte edhe moslejimi im për të votuar. Kërkesa e SPAK për dënimin tim me 2 vjet e 6 muaj burg është diskriminues. Të tjerë kryetar bashkish të gjykuar për të njëjtën akuzë janë në shërbim prove, ose ende në detyrë. Unë nuk e gjej veten fajtor për asnjë akuzë dhe e vërteta do të dalë herët a vonë. Sot, ju duhet t’i thoni jo presionit të pushtetit, jo dënimit pa prova, jo vendimit diskriminues.
Ju mund të jepni një vendim me rëndësi historike. Pres drejtësi!”, përfundoi Beleri.
(A2 Televizion)