Gjykata e Lartë lë në burg përjetë Dritan Dajtin, i akuzuar për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në gusht 2009.
Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit dhe duke ulur dënimin e tij 25 vite burg.
Por, organi i akuzës nuk ishte dakord me këtë vendimin dhe e apeloi në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm dhe mospranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar.
Dritan Dajti u prangos në vitin 2009 për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kryer ndaj punonjësve të policisë Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, akuza të cilat i mohon duke pretenduar se qëlloi me armë për t’u vetëmbrojtur pa e ditur se ata ishin policë.
Në atë ngjarje u vra edhe shoku i Dajtit, Ledion Mara, si dhe u plagos një pushues. Në asnjë seancë gjyqësore Dritan Dajti nuk ka pranuar që t’i ketë vrarë katër punonjësit e policisë me qëllim, por ka theksuar se në përleshjen e asaj dite është vetëmbrojtur. (A2 Televizion)