Në një kohë që prokuroria shqiptare ka pezulluar hetimet ndaj grupit famëkeq të hakerave iranianë mbi ndërhyrjet në sistemet online verën e vitit 2022, ndërhyrjet në sistemin TIMS, për të cilat fillimisht u dyshua të kishte pasur ndërhyrje brenda policisë shqiptare nuk ka ende një përfundim.
Pas hakerave iranianë dhe ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit, akuza shqiptare nuk mundi të gjejë organizatorët. Edhe pse letërporositë u dërguan në disa shtete, përgjigjet duken të largëta. Dosja e sulmeve mbërriti vetëm tek disa nëpunës shtetërorë shqiptarë të dyshuar për shpërdorim detyre për arsye se nuk kishin përditësuar sistemet antivirale.
Edhe historia e ndërhyrjes ne sistemin TIMS verën e vitit mesa duket do të ketë të njëjtin përfundim. Në gusht të vitit 2023 i ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara Martin Mc McDowell pas një takimi me ministrin e Brendshëm Taulant Balla vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshirë edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri.
Lëvizja që u mor më vonë drejt prokurorisë ishte kallëzimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes policore, por paralelisht edhe ministri i Brendshëm edhe kryeministri minimizuan situatën.
Historia nisi me një e-mail i cili iu dërgua Shërbimit Informativ Shqiptar dhe medias për të denoncuar vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS. Ky e-mail u dërgua nga punonjës të Policisë teksa përmenden me emra ata që morën të dhënat e TIMS. Sipas denoncuesve zinxhiri komandues i Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit e ngarkoi të gjithë sistemin në një database të jashtme.
Por përtej reagimeve të cilat opozita i lidhte edhe me dosjen Metamorfoza dhe përgjimet në platformat Sky Ecc dhe Enchro Chat, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore të kallëzonte në prokurori rastin.
Pas gushtit të vitit 2023 u regjistrua dhe procedimi penal për veprat e “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërhyrje e pa autorizuar kompjuterike”. Por edhe pse kanë kaluar 6 muaj që nga ajo kohë asnjë person nuk është ndaluar apo dënuar lidhur me rastin, i cili i bashkohet listës së atyre çështjeve për të cilat hetimet vijojnë. (A2 Televizion)