Një i moshuar 81 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e Korçës, pasi është dhunuar fizikisht në banesën e tij në lagjen 15 të qytetit juglindor. Ngjarja fillimisht u dyshua si një grabitje, por nga verifikimet e policisë, që shkoi në banesën e të moshuarit, u konstatua se as dera e jashtme dhe as dritaret nuk janë të thyera, ndërsa në tavolinë janë gjetur shishe pijesh alkoolike të konsumuara.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, dyshohet se i dëmtuari dhe agresori kanë qenë bashkë në apartament dhe ndoshta në pije e sipër, kanë nisur të grinden. Për shkak të gjendjes së rëndë të të moshuarit, policia nuk ka pasur mundësi ta marrë në pyetje, ndërsa dyshohet që edhe agresori mund të jetë dëmtuar, pasi policia ka gjetur gjurmë gjaku edhe jashtë banesës së të moshuarit, përgjatë rrugës që agresori ka bërë gjatë largimit nga banesa. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, për ngjarjen kanë folur edhe fqinjët, të cilët shprehen se kur kanë mbërritur në banesë e kanë gjetur 81-vjeçarin në gjendje tejet të rëndë dhe të mbuluar në gjak.
“Pas orës 7 vjen komshija me shumë shpejtësi dhe thotë hajde se ka vdekur Gaqua, dera ishte hapur dhe ai ishte i tëri i shtrirë dhe i mbuluar me gjak. Lajmëruam ambulancën, hymë brenda në banesë dhe pamë që ishte mbuluar me gjak dhe shtëpia ishte shumë rrëmujë dhe me gjak nga të gjitha anët. Viktima rënkonte dhe jepte përgjigje të pakuptueshme. Morëm spitalin dhe policinë, kjo e fundit erdhi në moment. Nuk shoqërohej me njeri vetëm me të pallatit këtu, nuk ka asnjë të afërm vetëm motrën e moshuar. Nuk kam ditur gjë për probleme të tij, vetëm di që është rëndë në spital”, shprehen fqinjët. (A2 Televizion)