Gati 2 javë pasi u izolua në qeli me vendim gjykatë, ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, i kërkoi Gjykatës së Apelit të Posaçëm ta shfuqizojë masën “arrest në burg”.
Kërkesa për liri e ish-kreut të shtetit të akuzuar për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje të pasurisë” u depozitua në gjykatë nga avokati i Metës, Genci Gjokutaj.
Në Apel për shfuqizimin e masës “trokiti” edhe deputetja Monika Kryemadhi. Ankimi mbi masën detyrim paraqitje ishte paraqitur me herët prej saj përmes postës, ndërsa të hënën ajo zbatoi vendimin e gjykatës për t’u paraqitur në SPAK në mesditë, shkruan A2.
Pa kursyer epitetet ndaj vetes, Kryemadhi tha se do t’i vërtetonte shqiptarëve të kundërtën e pretendimeve të SPAK ndaj saj.
Në zbatim të masës “detyrim për paraqitje” në SPAK u paraqitën edhe dy të dyshuarit e tjerë në të njëjtin hetim, Ema Çoku e Pirro Xhixho. (A2 Televizion)